
Ministri i Kulturës Blendi Gonxhe është kujtuar të reagojë mbi gjendjen shëndetësore të aktorit Naun Shundi. Ky i fundit ka pasur probleme të rënda ditët e fundit dhe familja e tij kërkoi ndihmë nga qytetarët, pasi ai po kurohet jashtë dhe familja nuk i mbulonte dot shpenzimet.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar tani, duke i ofruar mbështetje të plotë Shundit. Sipas saj, ai do të kthehet për trajtim në QSUT.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sqaron opinionin publik lidhur me gjendjen shëndetësore të aktorit të njohur Naun Shundi.
Pas njoftimit të marrë më datë 7 gusht 2025 nga MEKI, Ministria e Shëndetësisë është vënë menjëherë në kontakt me familjarët e aktorit dhe ka ofruar mbështetjen e saj të plotë. Fillimisht u garantua gatishmëria për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme.
Gjatë pritjes së rezultatit të biopsisë, u konstatua nevoja për mbështetje të mëtejshme në vijimin e trajtimit. Edhe në këtë fazë, Ministria rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë të plotë.
Aktualisht, aktori pritet të rikthehet në Shqipëri, ku do të nisë trajtimin pranë Qendrës së Specializuar në QSUT”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje