
Një banesë në Vlorë është shkrumbuar nga flakët dhe për pasojë ka ndërruar jetë një 75-vjeçar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen ’29 Nëntori’ në Vlorë dhe viktimë ka mbetur Guri Resulaj, i cili ka qenë brenda në banesë, por nuk ka mundur që të dalë dot.
75-vjeçari ka pësuar djegie të shumta në trup, çka i kanë shkaktuar vdekjen.
I moshuari nuk ka mundur të dalë nga banesa, kishte probleme me shëndetin dhe nuk lëvizte dot.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për shkaqet. Paraprakisht dyshohet për një shkëndijë elektrike, ose ndonjë cigare e lënë ndezur nga 75-vjeçari.
Njoftimi i Policisë Vlorë
Rreth orës 18:00, në lagjen “28 Nëntori”, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetases S. Zh., ku si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga flakët, ka humbur jetën, brenda në banesë, vëllai i saj shtetasi G. R., 74 vjeç, (tetraplegjik). Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Lini një Përgjigje