
Identifikohet shoferi i automjetit që humbi jetë tragjikisht mëngjesin e sotëm në aksidentin e rëndë në Këlcyrë.
Bëhet me dije se drejtuesi i mjetit ka qenë shtetasi Edison Bregaj.
Bregaj po transportonte 7 klandestinë me një automjet të marrë me qira, por pasi u pikas nga një patrullë policie, ai ka tentuar të largohet me shpejtësi duke përfunduar në lumin Vjosë.
7 emigrantët e paligjshëm humbën jetën gjithashtu, duke e çuar bilancin në 8 viktima.
Mjeti ishte me shpejtësi 200 km/orë, teksa konfirmohet edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i nuk është përplasur fare me bordurën metalike të rrugës, por ka përfunduar në shtratin e lumit.
"Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.
Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas. (7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra).
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik.
Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje