
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me armët e sekuestruara më herët gjatë së hënës në portin e Durrësit.
Sipas të dhënave nga policia, në furgonin e ndaluar u gjetën 8 pistoleta të tipit Glock të ambalazhuara në një kuti kartoni, të cilat kishin si destinacion Anglinë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi Jetmir Koloshi po merret në pyetje në lidhje me armët e sekuestruara, ndërkohë që paraprakisht mohoi të kishte dijeni për to.
Furgoni është ndaluar nga policia në vijën e dytë të kontrollit kufitar në terminalit të trageteve, ku më pas do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ankona mbrëmjen e djeshme.
Drejtuesi i mjetit, një 35-vjeçar nga Kukësi, ka dhënë deklarimet e para në Policinë e Durrësit, duke treguar itinerarin që do të përshkonte si dhe hollësitë që lidhen me punën e tij. Ai ka theksuar se është i punësuar për një kompani që bën transport mallrash dhe që nuk ka dijeni mbi sendet që ngarkohen në mjetin e tij.
Për pasojë, ai ka fiksuar vetëm një fakt se atë kuti kartoni e ka sjellë të mbyllur një djalë që ai nuk e njeh dhe i ka lënë porosi se do të shkonte ta merrte një person në momentin që do të mbërrinte në Angli. Ende nuk dihet nëse pakoja ka emër konkret pritësi, e po ashtu nuk bëhet me dije vendi i saktë ku do të lihej kjo pako. Edhe pse Policia e Durrësit dhe as ajo e Shtetit nuk kanë reaguar zyrtarisht për detajet e bllokimit të armëve, bëhet me dije se që mbrëmë hetimin e çështjes e ka marrë në dorë Prokuroria e Posaçme.
Burime policore treguan se 8 pistoletat “Glock” ishin vendosur në një kuti kartoni të mbyllur me natriban dhe se armët janë pikasur fillimisht nga skaneri i Portit të Durrësit, ndërsa pas marrjes së njoftimit SPAK ka ndërhyrë pasi trafikimi i armëve ishte pikasur më parë përmes përgjimeve dhe informacioneve policore.
Lini një Përgjigje