
Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë në Berat, ku një 42-vjeçar humbi jetën pas një konflikti në kalanë historike të qytetit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10 në lagjen e Kalasë, ku sipas burimeve zyrtare, shtetasi Kristo Mema, banues në lagjen “Barrikadë”, dyshohet se goditi me thikë Keli Hoxhën, 42 vjeç nga Tirana, pas një debati që degjeneroi në përleshje fizike.
“Rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, shtetasi Kristo Mema, alias K. H., 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë” në Berat, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin Keli Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital”, tha policia.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, konflikti mes dy burrave nisi për shkak të një kali që përdorej për xhiro turistike në zonën e kalasë. Pasi situata u përkeqësua, 63-vjeçari ka nxjerrë thikën dhe ka goditur Hoxhën disa herë, duke i shkaktuar plagë të rënda që rezultuan fatale në spital.
Autori i dyshuar, që sipas burimeve policore ka precedentë penalë për një vrasje me thikë të kryer në Greqi vite më parë, është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati. Forcat e Policisë së Beratit kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë kontrolle intensive për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e vrasjes.
Lini një Përgjigje