
Autoritetet italiane po hetojnë vrasjen e një 25-vjeçari shqiptar, i cili u gjet i pajetë me një plagë plumbi në kokë në provincën e Astit, në veri të Italisë.
Një nga pistat kryesore që po shqyrtohet është ajo e një përfshirjeje të mundshme në rrjete të trafikut të drogës, ndërsa hetimet po verifikojnë edhe një lidhje të mundshme me operacionin antidrogë të koduar “Djali”, të zhvilluar në korrik të vitit të kaluar nga Karabinierët në Bra.
Zbulimi i trupit dhe rrethanat e krimit
Trupi i të riut u gjet mëngjesin e 21 shkurtit, rreth orës 07:30, në zonën Chivola, pranë lagjes La Bassa. Sipas mediave italiane, ai u zbulua nga një shofer që po kalonte rastësisht në zonë.
Viktima ndodhej pranë një automjeti tip “Lancia Ypsilon”, i regjistruar në emër të një familjari të tij, i cili është sekuestruar nga autoritetet. Trupi ishte pjesërisht i mbuluar me rërë dhe gjethe, çka sipas hetuesve mund të tregojë një përpjekje për ta fshehur dhe për të vonuar zbulimin.
Autopsia konfirmoi se 25-vjeçari kishte marrë një plumb në kokë. Arma e krimit nuk është gjetur në vendngjarje.
Pistat e hetimit
Prokuroria e Astit, nën drejtimin e zëvendësprokurores publike Sara Paterno, po heton disa pista. Mes tyre është mundësia që viktima të ketë qenë në makinë me autorin në momentin e krimit, të jetë thirrur për një takim në vendin ku u qëllua, ose të ketë rënë në pritë.
Një tjetër pistë lidhet me larje hesapesh dhe prishje të pazareve të drogës. Megjithatë, theksohet se i riu nuk kishte precedentë penalë të regjistruar në Itali.
Media italiane raporton se rasti paraqet ngjashmëri me skemën e zbuluar gjatë operacionit “Djali”, kur Karabinierët goditën një grup që rekrutonte shtetas shqiptarë për trafik droge. Sipas autoriteteve, ata silleshin në Itali me viza turistike 90-ditore dhe më pas riatdhesoheshin pas përfshirjes në aktivitet kriminal. Aktualisht, hetuesit po verifikojnë nëse ekziston një lidhje konkrete mes kësaj strukture dhe viktimës.
Hetime nën konfidencialitet
Hetimi është nën konfidencialitet të rreptë. Në vendngjarje, përveç forcave të Karabinierëve nga Bra dhe njësisë së mjekësisë ligjore, ishte e pranishme edhe zëvendësprokurorja Paterno, e cila po koordinon hetimet.
Trupi u gjet pranë një ndërtese historike në zonën e Pedaggera-s. Sipas informacioneve paraprake, 25-vjeçari jetonte në zonën e Alba-s, por dyshohet se së fundmi ishte zhvendosur në fshatin Cinzano, çka mund të shpjegojë pse nuk ishte i njohur për komunitetin lokal.
Kryetarja e bashkisë së Santa Vittoria d’Alba, Adriana Dellavalle, deklaroi për mediat se autoritetet po veprojnë me kujdes maksimal dhe se administrata lokale po ndjek zhvillimet e çështjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur autorët dhe motivin e plotë të krimit.
Lini një Përgjigje