TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Shkurt 2026, 08:01

Shndërroi godinën e vitin 1876 në ‘shtëpi bari’, kush është shqiptari që u dënua në Mbretërinë e Bashkuar

Shkruar nga Pamfleti
Shndërroi godinën e vitin 1876 në ‘shtëpi bari’,
Shtëpia e barit

Një shtetas shqiptar është dënuar me 16 muaj burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u zbulua se kishte shndërruar një ish-zyrë viktoriane të regjistrimit në një “shtëpi bari” me vlerë të përllogaritur rreth 175 mijë paund në tregun e paligjshëm.

Sipas raportimeve të mediave britanike, ndërtesa e listuar si monument historik në Park Green, në zonën e gjelbëruar të Macclesfield-it, në Cheshire, u hap fillimisht në vitin 1876 si bibliotekë publike. Më pas ajo u përdor si zyrë regjistrimi për martesa deri në mbylljen e saj në vitin 2017. Banorët shprehën zemërim pasi historia e godinës, sipas tyre, u njollos nga aktiviteti kriminal.

Më 19 janar, rreth orës 09:00, policia e Macclesfield-it ekzekutoi një urdhër kontrolli në ndërtesën e braktisur, e cila përbëhej nga bodrumi, kati përdhe, kati i parë, kati i dytë dhe papafingo. Godina kishte qenë e mbyllur dhe e dëmtuar prej kohësh, duke e bërë të vështirë hyrjen në të.

Policia e Cheshire njoftoi se, pasi hynë brenda, oficerët ndien një erë të fortë dhe zbuluan 4 dhoma të veçanta në katin përdhe të mbushura me bimë kanabisi të rritura plotësisht. Sipas autoriteteve, ndërtesa ishte përshtatur plotësisht për funksionimin si fabrikë kanabisi në shkallë të gjerë dhe kishte ambiente të improvizuara për banim.

Gjatë kontrollit, policia gjeti ushqime të freskëta në zonën e kuzhinës, disa krevate, një lavatriçe dhe rroba të varura për t’u tharë. Një radiator në një nga dhomat e gjumit ishte ende i ngrohtë, duke treguar se dikush kishte qenë aty së fundmi.

Për shkak të përmasave të godinës, kontrolli vijoi gjatë gjithë ditës. Rreth orës 17:00, një oficer përdori një pajisje termike për zbulimin e burimeve të nxehtësisë në papafingo. Atje u gjet i fshehur 31-vjeçari Viktor Ymeralilaj, i cili qëndronte i strukur pas një trau të çatisë. Ai kishte qëndruar i fshehur për rreth tetë orë, ndërsa policia kishte rrethuar ndërtesën për kontroll.

Ymeralilaj, i cili rezulton pa adresë të përhershme, u arrestua dhe më pas pranoi fajësinë për kultivim kanabisi në Gjykatën e Kurorës në Chester. Gjykata e dënoi me 16 muaj burg.

Shndërroi godinën e vitin 1876 në ‘shtëpi bari’,
Viktor Ymeralilaj

Gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje, ai deklaroi se ishte mbajtur kundër vullnetit të tij në ambientet e fabrikës së kanabisit dhe se nuk kishte pasur mundësi arratisjeje. Sipas tij, dy persona e kishin punësuar për të ushqyer dhe ujitur bimët, ndërsa ai pretendoi se nuk i kishte parë ata prej rreth tre javësh dhe se ishte mbyllur brenda ndërtesës për t’u kujdesur për kultivimin.

Megjithatë, sipas policisë, zbulimi i produkteve ushqimore të freskëta dhe ende brenda afatit të përdorimit tregonte se dikush kishte dalë së fundmi për furnizime, duke vënë në dyshim pretendimet e tij.

PC David Noon, nga Njësia e Lagjes e Policisë së Cheshire, deklaroi se ndërtesa ishte shndërruar plotësisht në një fabrikë kanabisi me ambiente banimi, me synim prodhimin e drogës në shkallë të gjerë. Ai vlerësoi se kanabisi i sekuestruar kishte një vlerë tregu mbi 175 mijë paund.

Policia e Cheshire theksoi se mbështetet edhe në informacionin e publikut për të identifikuar dhe mbyllur aktivitete të tilla të paligjshme, duke u bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo dyshim për kultivim apo shpërndarje droge në zonat e tyre.

 

shqiptari mbreteria e bashkuar droge

Lini një Përgjigje