TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Shkurt 2026, 20:13

Merr fund ‘skema’ e shqiptarit, i sekuestrohet vila luksoze 500 mijë euro në Itali

Shkruar nga Pamfleti
Merr fund ‘skema’ e shqiptarit, i sekuestrohet vila luksoze 500
Pamje nga aksioni

Nën hetim shqiptari për trafik droge dhe pastrim parash

Autoritetet italiane kanë sekuestruar një vilë me vlerë rreth 500 mijë euro, në pronësi të një shtetasi shqiptar, i cili është nën hetim për trafik të lëndëve narkotike dhe dyshohet për pastrim parash përmes investimeve në prona të paluajtshme.

Sipas mediave italiane, mes tyre “Il Resto del Carlino”, masa e sekuestrimit është ekzekutuar nga Guardia di Finanza e Faenzës, në koordinim me Prokurorinë e Ravenna-s. Bëhet fjalë për një vilë luksoze, e cila sipas hetimeve dyshohet se është blerë me të ardhura të pajustifikuara.

Autoritetet kanë sqaruar se sekuestrimi është rezultat i kontrolleve të thelluara ekonomiko-financiare, të cilat evidentuan një mospërputhje të konsiderueshme mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurisë së zotëruar nga i dyshuari.

Identiteti i personit nuk është bërë publik, ndërsa hetimet vijojnë.

Sipas burimeve hetimore, analiza e llogarive bankare të familjes ka nxjerrë në pah një menaxhim të pazakontë të fondeve. Gjatë viteve të marra në shqyrtim, janë konstatuar shpenzime minimale për nevojat bazë familjare, si ushqime dhe veshmbathje, si dhe mungesë pothuajse totale e tërheqjeve cash nga bankomatët dhe e pagesave për karburant.

Autoritetet italiane kanë deklaruar se ky model financiar konsiderohet i pazakontë dhe ka shërbyer si një nga elementët që ngriti dyshime mbi burimin e të ardhurave.

Sipas hetimeve paraprake, furnizimi me para në llogaritë bankare dyshohet të jetë mundësuar nga sasi të mëdha parash cash, që autoritetet i lidhin me aktivitetin e dyshuar të trafikut të drogës. Këto të ardhura, sipas hetuesve, nuk rezultojnë të deklaruara dhe nuk përputhen me profilin zyrtar të të ardhurave nga puna e tij.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për një hetim në zhvillim dhe se personi në fjalë gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Disproporcioni mes të ardhurave dhe pasurisë

Nga rindërtimi i profilit ekonomik-financiar të familjes, hetuesit kanë konstatuar një disproporcion të theksuar mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurisë së akumuluar, veçanërisht në lidhje me blerjen e vilës me vlerë të konsiderueshme.

Sekuestrimi i vendosur nga autoriteti gjyqësor është një masë parandaluese që lejon konfiskimin e përkohshëm të pasurive kur ekzistojnë dyshime të arsyeshme se ato rrjedhin nga aktivitete të paligjshme ose janë në mospërputhje me të ardhurat e deklaruara.

Hetimet vijojnë për të verifikuar burimin e plotë të fondeve dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale penale.

vila luksoze në itali shqiptari

Lini një Përgjigje