Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit u konfiskuan 10 pasuri të një Saimir Taullaut. Konkretisht u konfiskuan pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Taullaut dhe familjarëve të tij.
Kërkesa e Prokurorisë u bë bazuar në ligjin nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Sipas njoftimit, gjykata ka pranuar kërkesën e organit të akuzës, duke vendosur konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të identifikuara në kuadër të këtij procedimi.
Për rrjedhojë, u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
1. Pasuria nr. 4/1, z.k. 8572, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “Godinë ekonomike 2 kate, karburant dhe ambiente shërbimi;
2. Pasuria nr. 4/2, z.k. 8572, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “truall+ndërtesë”, me vlerë 9,724,582 lekë;
3. Pasuria nr. 1/527, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “Godinë e kombinuar 5 kate + karburant”, me vlerë 22,330,105 lekë;
4. Pasuria nr. 3/1, z.k. 8572, në Plug, Lushnjë, e llojit “godinë ekonomike 1 kt + podrum”, me vlerë 2,297,520 lekë.
5. Pasuria nr. 1/450, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “njësi shërbimi 3 kate + rikonstruksion karburanti ekzistues + pikë gazi”.
6. Pasuria nr. 104/44, z.k. 3268, në Savër, Lushnjë, e llojit “arë”, me sipërfaqe totale 15.323 m2;
7. Pasuria nr. 857/28, z.k. 2087, në Karbunarë të Poshtme, Lushnjë, e llojit “arë”;
8. Pasuria nr. 151/2+1-10, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 128 m2;
9. Pasuria nr. 102/22+1-6, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 96.17 m2;
10. Pasuria nr. 104/81+2-21, z.k. 3292, në Selitë, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 105.57 m2.
Saimir Taullau njihet në opinionin publik si kundërshtar i Aldo Bares, një emër i përfshirë më herët në procese gjyqësore për veprimtari kriminale.
Përplasja me bandën e Aldo Bares
Përplasja mes familjes Taullau dhe grupit të njohur si banda e Aldo Bares daton që prej vitit 1997, periudhë kur ky grup rriti ndjeshëm influencën në qytetin e Lushnjës.
Sipas dëshmive të dhëna ndër vite në gjykatë, konflikti nisi pasi Aldo Bare kërkoi të rekrutonte në grupin e tij Saimir Taullaun, pjesëtar i një familjeje me disa biznese në zonë, përfshirë një pikë karburanti. Refuzimi i Taullaut, sipas dëshmisë së tij, u pasua me vendosjen e gjobave ndaj familjes.Në vitin 2005, Baki Taullau u vra. Saimir Taullau, vëllai i tij, dëshmoi në gjyq duke akuzuar si autorë pjesëtarë të grupit të Aldo Bares, të cilët sipas tij kishin vepruar me urdhër të këtij të fundit.
Në dëshminë e dhënë në vitin 2008 para gjykatës, Saimir Taullau deklaroi se i vëllai kishte qenë vazhdimisht objekt i gjobave nga grupi kriminal. Ai pohoi se Baki Taullau kishte paguar disa herë shuma parash të kërkuara nga grupi, por kur refuzoi të vijonte pagesat, u vra.
Sipas familjes, një nga episodet kryesore të konfliktit lidhej me një gjobë prej 500 mijë eurosh, e vendosur afro dy dekada më parë. Ngjarja, sipas tyre, nuk është zbardhur plotësisht.
Aktualisht, sekuestrimi i pasurive të Saimir Taullaut dhe familjarëve të tij nga Gjykata e Fierit, me kërkesë të Prokurorisë, e rikthen në vëmendje këtë konflikt të hershëm, ndonëse deri tani nuk ka një lidhje të konfirmuar zyrtarisht mes masës së fundit dhe përplasjes me grupin e Aldo Bares.
Lini një Përgjigje