
Gjendet trupi i pajetë i 20-vjeçarit shqiptar Riccardo Merkuri, i cili një ditë më parë ishte hedhur në ujërat e portit të Civitanova Marche. Lajmi është konfirmuar për mediat italiane nga burime të zjarrfikësve.
Sipas të dhënave paraprake, i riu ishte larguar nga banesa në Pollenza pas një episodi dhune ndaj nënës së tij, 53-vjeçares Albana Kastriot. Dyshohet se ai e kishte goditur me grushte në fytyrë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Më pas, 20-vjeçari ishte larguar me automjetin e tij tip “Mercedes”, duke lënë telefonin celular në shtëpi, dhe ishte nisur drejt Civitanova Marche. Që prej mbrëmjes së së premtes, familjarët kishin humbur çdo kontakt me të.
Automjeti i tij u gjet pranë hyrjes së portit, ndërsa hetuesit ngritën që në fillim hipotezën se i riu ishte hedhur vullnetarisht në det, një pistë që u konfirmua më pas nga pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas pamjeve, 20-vjeçari është filmuar fillimisht në hyrje të portit dhe më pas në momentin kur hidhet në ujë. Një tjetër pamje e tregon duke dalë sërish në sipërfaqe dhe duke u hedhur përsëri më tej, pa u rishfaqur më.
Operacioni i kërkimit nisi menjëherë, me përfshirjen e zjarrfikësve, polumbarëve nga Teramo, Gardës Bregdetare dhe karabinierëve. Për shkak të errësirës, kërkimet u ndërprenë mbrëmjen e djeshme dhe rifilluan mëngjesin e sotëm me ndihmën e dronëve, duke çuar në gjetjen e trupit në zonën ujore përballë portit.
Familja e të riut, me origjinë shqiptare dhe prej më shumë se dy dekadash në Itali, njihet në komunitetin e Pollenzës. Nëna e tij, Albana Kastriot, pronare e një qendre estetike, mbeti e plagosur rëndë nga dhuna e ushtruar, pikërisht në ditën e 20-vjetorit të të birit. Si pasojë e goditjeve, ajo pësoi frakturë të nofullës.
Sipas mediave italiane, kanë qenë britmat e 53-vjeçares që alarmuan fqinjët rreth orës 21:00, si dhe bashkëshortin e saj, Mario Merkuri, i cili ndodhej jashtë banesës në momentin e ngjarjes. Gruaja u gjet e shtrirë në dyshemenë e banjës, e gjakosur dhe pa ndjenja. Kur forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, 20-vjeçari ishte larguar.
Aktualisht, Albana Kastriot ndodhet e shtruar në spitalin e Maceratës në gjendje të rëndë, nën kujdes intensiv. Sipas burimeve mjekësore, ajo nuk është në rrezik për jetën.
Lini një Përgjigje