Policia e Tiranës ka nisur hetimin ndaj deputetëve të PD-së, Flamur Noka dhe Xhelal Mziu, që u përfshinë në një incident gjatë protestës së mbajtur në 20 shkurt, pranë xhamisë së Namazgjasë në kryeqytet.
Policia në një njoftim zyrtar shprehet se procedimi penal ka nisur pas kallëzimit të dy qytetarëve, që pretendojnë se janë shtyrë dhe goditur nga ligjvënësit e opozitës.
Gjithçka ka ndodhur në një moment tensioni, ku deputetë të PD-së, u përfshinë në incident duke pretenduar se dy persona, ishin civilë të policisë që kapnin protestuesit e opozitës.
Kallëzimin ndaj dy deputetëve e kanë bërë shtetasit Krenar Metaj dhe Totem Toraj, njëri prej të cilëve rezulton agjent i Komisariatit nr.1 të policisë, ndërsa tjetri i njohur i tij. Ata shfaqen duke debatuar me deputetët e PD-së, që më pas i shtyjnë deri sa ndërhyjnë policë me uniformë.
Fillimisht u tha se ata ishin dy qytetarë që s'kishin lidhje me policinë dhe as me protestuesit, më pas rezultoi se njëri ishte një prej agjentëve të policisë që vepronte në zonën ku edhe ndodhi debati.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit F. N. dhe Xh. M., pasi ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit K. M. dhe T. T. se, më datë 20.02.2026, gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, janë shtyrë dhe goditur prej tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lini një Përgjigje