TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Shkurt 2026, 18:47

Skandal seksual në Greqi, shqiptari abuzon me 25-vjeçaren me aftësi ndryshe

Shkruar nga Pamfleti

Skandal seksual në Greqi, shqiptari abuzon me 25-vjeçaren me

Autoritetet greke po hetojnë një denoncim për abuzim seksual ndaj një gruaje 25 vjeç me aftësi të kufizuara, pas kallëzimit të bërë nga nëna e saj. Sipas raportimeve të mediave greke, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në banesën e familjes në zonën e Kypselit, në Athinë.

Si i dyshuar për rastin përmendet një burrë me origjinë shqiptare, i cili, sipas denoncimit, ndihmonte nënën me pazaret dhe banonte në të njëjtën zonë. Viktimat janë motra binjake, të dyja me aftësi të kufizuara. Sipas të dhënave paraprake, njëra prej tyre dyshohet se ka qenë objekt i abuzimit seksual, ndërsa ndaj tjetrës i dyshuari ka tentuar të kryejë veprime të ngjashme, pa arritur t’i përfundojë.

Nëna deklaroi se, gjatë mungesës së saj, burri ka hyrë në banesë dhe ka abuzuar me njërën prej vajzave. Sipas të njëjtave burime, ajo u kthye në shtëpi dhe e gjeti të dyshuarin brenda. Pamjet e kamerave të sigurisë të instaluara në banesë dyshohet se kanë regjistruar ngjarjen.

Mediat greke raportojnë se nëna ka reaguar duke u përballur fizikisht me të dyshuarin. Sipas dëshmisë së saj për televizionin Mega, ajo fillimisht e ka goditur me një tigan, ndërsa burri ka reaguar duke e shtyrë dhe duke goditur njërën prej vajzave, e cila është me autizëm. Më pas, ajo ka marrë një thikë dhe e ka ndjekur, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ndërhyri pas njoftimit dhe nisi kërkimet.

Dy 25-vjeçaret janë dërguar në spital për ekzaminime mjeko-ligjore, ndërsa nëna ka dhënë deklaratë në komisariat. Autoritetet kanë shpallur në kërkim të dyshuarin, i cili sipas raportimeve mund të jetë larguar nga zona e banimit të tij në Nea Smyrni.

Hetimet janë në vijim për të verifikuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të lokalizuar personin e dyshuar. Policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar mbi arrestimin e tij.

Lini një Përgjigje