
Njëzet vjet pas grabitjes së depos së Securitas, publikohen detaje për fatin e autorëve, atentatin ndaj njërit prej tyre dhe misterin që vijon të rrethojë milionat e munguar…
Ishte grabitja më e madhe e parave në historinë e Britanisë, me një plan të guximshëm që përfshiu rrëmbimin e një drejtuesi sigurie dhe familjes së tij, ndërsa autorët e maskuar u larguan me 53 milionë paundë.
Njëzet vjet pas grabitjes së depos së Securitas, misteri vazhdon mbi milionat e zhdukur. Gazeta britanike “The Sun” shkruan për fatet e jashtëzakonshme të personazheve kryesore, përfshirë një shqiptar që sot jeton një jetë luksi.

Jetmir Bucpapa, 46 vjeç, u dënua me 30 vite burg për rolin e tij në grabitjen shumë milionëshe, gjatë së cilës 14 punonjës të terrorizuar u mbyllën në kafaze parash. Ai kaloi vite në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh, por në vitin 2020 u deportua në Shqipëri dhe u martua shpejt.
Një burim i cituar nga gazeta deklaron: “ai del nëpër klube nate me gruan e re dhe po shijon jetën. Është shumë ndryshe nga periudha kur sapo ishte liruar dhe jetonte qetë si familjar pas martesës brenda një viti. Pas kaq shumë kohësh në burgun Belmarsh, ai ishte paranojak dhe shikonte vazhdimisht pas, por tani duket se nuk i intereson.”

Besimi i tij në vetvete vjen pasi vitin e kaluar tre persona u dënuan për plagosjen me armë zjarri të grabitësit tjetër Paul Allen.

Allen mbeti i paralizuar pasi u qëllua në fyt nga tre vrasës me pagesë, të cilët gjashtë javë më parë kishin kryer një grabitje të guximshme prej 2.8 milionë paundësh në Gjenevë.
Ndërkohë, mbetet i pazgjidhur misteri se çfarë ndodhi me 32 milionë paundë nga grabitja e Securitas. Policia beson se një pjesë e parave mund të jetë transferuar në Qipro dhe Marok.

Bucpapa, i quajtur nga policia “hi-viz” për shkak të jelekut fosforeshent që mbante gjatë grabitjes, kishte rol kyç në grup. Ai ishte lidhja e vetme me Ermir Hysenajn, një mik i vjetër shkolle që punonte në depon e Tonbridge dhe veproi si “njeriu i brendshëm”, duke filmuar strukturën e kasafortës së parave.
Të dy ishin pjesë e një bande të armatosur rëndë që goditi në orët e para të 22 shkurtit 2006. Të veshur me maska dhe të armatosur me armë përfshirë një automatik dhe një pushkë gjahu me pompë, ata lidhën punonjësit e tmerruar dhe rrëmbyen drejtuesin e depos, Colin Dixon, teksa ai po shkonte në punë.

Ata rrëmbyen gjithashtu bashkëshorten dhe djalin e tij nga banesa e tyre, duke u shtirur fillimisht si oficerë policie, dhe i përdorën si mjet presioni për ta detyruar Dixon-in t’i lejonte të hynin në ambientet e kasafortës ku ruheshin miliona.
Më pas banda ngarkoi paratë në një kamion 7.5 tonësh, por u detyrua të linte pas 153 milionë paundë, pasi nuk mund të fusnin më kafaze me para në mjet.

Në vitin 2007, ish-shitësi i makinave Stuart Royle, pronari i një servisi Roger Coutts, Lea Rusha dhe Bucpapa u dënuan me burgim të përjetshëm. Hysenaj mori 20 vite burg.
Udhëheqësi i grupit, Lee Murray, 48 vjeç, një luftëtar i njohur në ring, dhe bashkëpunëtori Paul Allen, 47 vjeç, u arratisën në Marok, ku blenë vila, drogë dhe bizhuteri, si dhe shpenzuan para për operacione plastike për partneret e tyre. Ata u arrestuan katër muaj më vonë.
Allen u ekstradua në Britani për të vuajtur 10 vite burg, ndërsa Murray, babai i të cilit është maroken, u dënua me 25 vite burg në Marok.
Burime thonë se Bucpapa fillimisht ishte “i mbushur me ankth” pas lirimit nga burgu, ashtu si edhe Hysenaj. “Dukej gjithmonë nervoz, shikonte rreth e rrotull vazhdimisht”, tha një burim për gazetën.
Ai u martua me një shqiptare që jetonte në Francë. Ata u martuan brenda një viti dhe patën një vajzë e më pas një djalë. Çifti tani është ndarë.

“Nuk ishte e lehtë të ishe e martuar me të. Ai kaloi shumë kohë në burg dhe nuk i trembet askujt. Ai donte shumë të kishte një djalë, por u divorcua shpejt pas lindjes së tij. Pak pas ndarjes, nisi lidhjen me një vajzë shumë të bukur dhe të pasur,” shtoi burimi.
Bucpapa duket se është bërë më i dukshëm publikisht pasi vitin e kaluar tre persona u dënuan për atentatin ndaj Paul Allen në vitin 2019, në një shtëpi me qira që i përkiste komedianit Russell Kane. Autorët Daniel Kelly, Louis Ahearne dhe vëllai i tij Stewart u dënuan përkatësisht me 36, 33 dhe 30 vite burg.

Gjashtë javë para atentatit, ata vodhën 2.8 milionë paundë sende me vlerë të dinastisë Ming në Gjenevë. Kelly kërkohet gjithashtu për një grabitje prej 680 mijë paundësh në Japoni.
Allen përfitoi 1.9 milionë paundë nga grabitja e depos së Securitas dhe iu urdhërua të kthente 1.23 milionë paundë sipas ligjit për përfitimet nga krimi. Ai pagoi vetëm 420 paundë, ndërsa në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura në vitin 2018, një gjykatës vendosi që ai të mos paguante më shumë.

Sipas raportimit, Bucpapa, Roger Coutts dhe Lea Rusha kanë kthyer vetëm nga një paund secili, ndërsa Hysenaj nuk ka paguar asgjë.
Njëzet vjet pas grabitjes, policia ende nuk e di se çfarë ndodhi me 32 milionë paundët e zhdukur. Banda u largua me 53,116,760 paundë, por një pjesë e konsiderueshme nuk është rikuperuar.
Pas grabitjes, autorët u drejtuan me kamion drejt Elderden Farm pranë Staplehurst në Kent. Rreth 100 mijë paundë u gjetën atje, por pronari i fermës, John Fowler, deklaroi se nuk kishte dijeni që paratë ishin fshehur në pronën e tij dhe më vonë u shpall i pafajshëm.

Më shumë se 9 milionë paundë u gjetën në një kontejner në një zonë industriale në Welling, në juglindje të Londrës. Rreth 8 milionë paundë u zbuluan në një magazinë pranë shtëpisë së Lea Rusha në Southborough, Kent. Shuma më të vogla u sekuestruan në vende të tjera, por 32 milionë paundë mbeten të zhdukur.
Policia beson se paratë u ndanë në pako të vogla për t’u pastruar, ndërsa sindikata kriminale u pagua për t’i “pastruar” ato. Shuma të tjera dyshohet se u transferuan në llogari bankare në Qipro dhe Marok.

Securitas rimbursoi 25 milionë paundë Bankës së Anglisë, e cila ishte pronare e parave të vjedhura.
Dy dekada më vonë, milionat e munguar vazhdojnë të jenë të pagjetur, ndërsa disa prej autorëve tashmë jetojnë në liri. /Përshtatur nga The Sun/
Lini një Përgjigje