Policia ka arrestuar Prek Mollën, banor i fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë, i dyshuar për goditjen e një punonjësi të firmës “Gener 2”, e cila po kryen punimet për ndërtimin e resortit të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Gjatë ngjarjes, dyshohet se është kërcënuar edhe një punonjëse policie.
Pesë persona të tjerë, të përfshirë në incident, janë shpallur në kërkim. Ata akuzohen gjithashtu për nxitje të dhunës dhe dëmtim të mjeteve të punës të firmës, duke përfshirë ekskavatorë, foristrada dhe xhamat e pajisjeve.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. M., 60 vjeç, banues në fshatin Rrjollë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit L. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torrovicë; M. K., 33 vjeç, banues në fshatin Malecaj; D. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe; A. M., 30 vjeç, banues në fshatin Rrjollë dhe N. K., 35 vjeç, banues në fshatin Malecaj.
Këta shtetas dyshohen se dje, në fshatin Rrjollë, kanë goditur shtetasin L. A., 22 vjeç, banues në Tropojë, punonjës i firmës “Gener 2”, dhe kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasen V. C., 30 vjeçe, banuese në qytetin Koplik, punonjëse policie e Komisariatit të Policisë Shkodër, si dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë nxitur akte dhune, duke dëmtuar disa mjete pune (ekskavator, foristradë) të firmës “Gener 2”, duke u thyer xhamat.", njofton policia.
Lini një Përgjigje