TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Shkurt 2026, 15:50

Shkatërrohet rrjeti i drogës në Itali, ekzekutohen 20 urdhra ndalimi; 2 shqiptarët 'kokat' e grupit

Shkruar nga Pamfleti
Shkatërrohet rrjeti i drogës në Itali, ekzekutohen 20 urdhra
Pamje nga operacioni

Autoritetet italiane zhvilluan mëngjesin e sotëm operacionin e koduar “Rondò”, i cili çoi në goditjen e një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës, i drejtuar sipas hetuesve nga dy shtetas shqiptarë me precedentë penalë.

Operacioni u shtri në disa zona, përfshirë Montesilvano, Pescara, Vasto, Trani dhe San Severo, me angazhimin e reparteve territoriale dhe njësive speciale të Karabinierisë, të mbështetura edhe nga shërbimi ajror i Barit.

Me urdhër të Gjykatës për Hetime Paraprake pranë Gjykatës së Pescara-s, nën drejtimin e gjyqtarit Dott. G. de Rensis, u ekzekutuan 20 masa sigurie me burg.

Sipas Prokurorisë, hetimet kanë zgjatur më shumë se një vit dhe kanë nisur nga verifikimet mbi aktivitetin tregtar të njërit prej të dyshuarve, i cili rezultonte pronar i disa bizneseve lokale në zonën e Montesilvanos. Gjatë hetimit, Karabinierët zbuluan ekzistencën e një strukture të organizuar për trafikimin e lëndëve narkotike.

Autoritetet bëjnë me dije se rrjeti operonte përmes dy kanaleve furnizimi: kokaina sigurohej nga veriu i Italisë, ndërsa heroina nga zona e Foggias. Sipas hetuesve, njëri prej dy shqiptarëve dyshohet se menaxhonte trafikun e kokainës, ndërsa tjetri atë të heroinës.

Për shpërndarjen e drogës përdorej një rrjet korrierësh të besuar, ndërsa komunikimet realizoheshin përmes telefonave të koduar, me qëllim shmangien e përgjimeve dhe kontrolleve nga autoritetet.

Gjatë fazës hetimore janë sekuestruar rreth 30 kilogramë kokainë dhe heroinë, rreth 100 mijë euro në para cash, si dhe pajisje të përdorura për përgatitjen dhe paketimin e dozave të drogës.

Falë përdorimit të teknologjive të avancuara hetimore nga Prokuroria e Pescara-s, autoritetet arritën të depërtojnë në komunikimet e rrjetit, duke arrestuar në flagrancë 15 persona gjatë hetimeve.

Në total, 20 persona janë ndaluar, ndërsa sipas hetuesve është çmontuar një organizatë kriminale që furnizonte tregun e rajonit të Abruzzos me kokainë dhe heroinë. Montesilvano konsiderohej si qendra koordinuese e aktivitetit.

Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Prokurores së Republikës, Dott. G. Rana, dhe ka përfshirë gjithashtu provincat Chieti, Barletta-Andria-Trani dhe Foggia.

Lini një Përgjigje