TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Shkurt 2026, 20:18

Nuk ka liri për bosin shqiptar të drogës, SHBA izolon 20 vite në qeli Agim Cermën

Shkruar nga Pamfleti
Nuk ka liri për bosin shqiptar të drogës, SHBA izolon 20 vite
Agim Cerma

Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara ka vendosur të lërë në fuqi dënimin ndaj Agim Cermës, duke theksuar se pranimi i fajësisë prej tij ishte i ligjshëm dhe i pakontestueshëm. Sipas vendimit të publikuar më 19 shkurt 2026, ai nuk ka të drejtë ankimi për shkak të marrëveshjes së nënshkruar me prokurorinë.

Vendimi vjen pas apelimit të paraqitur nga Cerma kundër vendimit të Gjykatës Federale të Distriktit të Georgias, ku ai ishte dënuar me 20 vite burg (240 muaj) për përfshirje në një komplot që synonte futjen ilegale të një avioni në SHBA me qëllim shpërndarjen e mbi 5 kilogramëve kokainë.

Në ankesën e tij, 54-vjeçari pretendonte se deklarimi i fajësisë nuk ishte bërë me vullnet të plotë dhe se nuk i ishte vënë në dispozicion një përkthyes në gjuhën shqipe, çka sipas tij e kishte penguar të kuptonte plotësisht akuzat. Ai kundërshtoi gjithashtu rritjen me katër nivele të dënimit për rolin e tij si organizator i operacionit kriminal.

Gjykata e Apelit i rrëzoi këto pretendime. Në vendim theksohet se Cerma kishte deklaruar vetë se zotëronte gjuhën spanjolle dhe kishte pranuar të përdorte përkthyes në këtë gjuhë gjatë seancave gjyqësore. Dokumentet tregojnë se ai kishte jetuar për vite me radhë në Kolumbi dhe kishte komunikuar në spanjisht edhe gjatë përgjimeve të përfshira në çështje.

Sipas trupës gjykuese, Cerma kishte nënshkruar çdo faqe të marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe kishte konfirmuar se e kuptonte përmbajtjen e saj. Ai ishte takuar të paktën shtatë herë me avokatin mbrojtës dhe kishte deklaruar se e pranonte fajin me vullnet të lirë. Gjykata vuri në dukje gjithashtu se ai kishte pranuar një klauzolë që i hiqte të drejtën e apelimit, përveç rasteve shumë të kufizuara, të cilat nuk aplikoheshin në këtë rast.

I njohur me nofkën “Jimmy”, Cerma, me banim në Kolumbi, u shpall fajtor për rolin e tij në një skemë të trafikut ndërkombëtar të kokainës përmes avionëve të regjistruar në SHBA.

Sipas dokumenteve gjyqësore, në vitin 2020 Administrata Amerikane për Zbatimin e Drogës (DEA), në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane, identifikoi një rrjet të përfshirë në trafik droge në shkallë të gjerë. Hetimi zbuloi se Cerma dhe bashkëpunëtorët e tij planifikonin prodhimin dhe transportimin e qindra kilogramëve kokainë nga Cali, Kolumbi, drejt Evropës, përmes një avioni të regjistruar në SHBA.

Sipas prokurorisë, trafikantët synonin të shmangnin kontrollet shtesë duke përdorur një avion me regjistrim amerikan. Skema përfshinte pagesa për punonjës të korruptuar aeroporti, prodhimin e mbi 300 kilogramëve kokainë në një laborator në Kolumbi dhe organizimin e dërgesës.

Autoritetet në Aeroportin Ndërkombëtar të Calit sekuestruan valixhe me rreth 330 kilogramë kokainë, të destinuara për një avion me drejtim Evropën. Hetimi përcaktoi se Cerma ishte drejtuesi i organizatës së trafikut.

Ai u arrestua në Kolumbi në korrik 2021 dhe u ekstradua në SHBA në shtator 2023. Katër bashkëpandehur kolumbianë u ekstraduan gjithashtu në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tre prej tyre janë deklaruar fajtorë në gjykatën amerikane.

Lini një Përgjigje