
Nga ekspertiza paraprake rezultoi se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar...
Renis Dobra, 23 vjeç, u ekzekutua pak ditë më parë, ndërsa trupi i tij u gjet në liqenin e Shkopetit në datën 8 korrik.
Lidhur me krimin u ngritën disa dyshime dhe pista, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së mërkurës janë arrestuar dy persona.
Bëhet fjalë për Petrit Çakrin, një emër i njohur për organet ligjzbatuese, dhe Fatjon Bushgjokën. Çakri u arrestua në Lekbibaj të Tropojës, ndërsa Bushgjoka në Tiranë.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë Kristi Bushgjokaj dhe Aleksander Bushgjokaj.
Motivet e krimit ende nuk janë zbuluar, por hetimet janë përqëndruar në pistën e një përplasje të mundshme për shkak të parcelave të kultivuara me kanabis. I riu dyshohet të ketë pasur precedentë në fushën e narkotikëve në Gjermani.
Nga raportimet mësohet se policia ka mundur të sigurojë disa prova që kanë të bëjnë me mesazhet telefonike, mbi të cilat u ngritën dyshimet mbi autorët e dyshuar dhe shpalljen në kërkim të tyre, dy prej të cilëve u arrestuan në orët e para të ditës së mërkurë.
Si u ngritën dyshimet?
Çakri dyshohet se ka marrë dy makina me qira, të cilat janë përdorur në krim. Sipas raportimeve, ai është zbuluar nga GPS e automjeteve nga ku hetuesit përmes pamjeve filmike kanë mundur të zbulojnë të tjera detaje që kanë të bëjnë me lëvizjet, që përkojnë edhe me ato të viktimës Renis Dobra. Në këtë mënyrë duket se grupi hetimor ka ngritur dyshimet lidhur me atë që autorët e dyshuar kanë ndjekur viktimën deri në eleminimin e tij.
Pas ngjarjes së rëndë, Policia e Matit shoqëroi katër persona, si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit. Por pas marrjes në pyetje ato janë liruar, duke u rrëzuar kështu pista se krimi mund të ishte kryer për shkak të ndonjë konflikti momental apo për motive të dobëta.
Nga ekspertiza paraprake rezultoi se 23-vjeçari Dobra ka humbur jetën nga mbytja me litar.
Policia i përqendroi hetimet në disa pista, si konfliktet që i riu mund të ketë pasur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sipas burimeve, në Gjermani, nga ku ishte deportuar pak muaj më herët, ka qenë i përfshirë si shpërndarës i lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij.
Policia u vu në lëvizje nga familjarë të 23-vjeçarit. Fillimisht u dyshua se i riu që lëvizte me një automjet ishte ndaluar nga Policia, por më pas rezultoi se rrëmbyesit nuk ishin policë. Pas disa orë kërkimesh u arrit që në Liqenin e Shkopetit të gjendet trupi i pajetë.
Kush është Petrit Çakri
Petrit Çakri është një emër i njohur për organet ligjzbatuese. Emri i tij ka dalë në skenë si dëshmitar edhe në atentatin ndaj Azem Hajdarit në 12 shtator 1998, që u konsiderua si ‘krimi i shekullit’.
"Kam qënë i ulur vetëm 4 metra larg ngjarjes, në lokalin që atëherë quhet "Hanover" që ndodhej në krah të ish-hotel Drini. Pashë Azem Hajdarin të dilte i veshur me pardesynë e bardhë dhe pas tij truprojat Zenel Neza dhe Besim Cerja. Pasi u afrua në vendin ku isha ulur, pashë që drejt tij në takim po lëvizte Izet Haxhia.
U takuan dhe shkëmbyen pak fjalë. Ndërkohë pashë dyert e makinave që ishin të parkuara aty pranë të hapeshin dhe prej andej të dilnin "cubat e Tropojës", Fatmir Haklaj, Jaho Salihi dhe krutani Naim Cangu, të cilin e kishin mik dhe në Bajram Curri e prisnin si të ishte Berluskoni. Gjithçka nuk zgjati më shumë se 2 minuta. Ndodhi një zënkë dhe kërcitën armët.
Unë isha nga të parët që u afrova te trupat pa jetë. i ktheva mbarsh dhe i pashë nëse ndokush ishte gjallë dhe kishte nevojë për ndihmë. Në këtë moment mbërriti Sali Lusha. i nisëm të gjithë për në spital", do të shprehej Cakri, në atë kohë, si një prej dëshmitarëve në procesin për vrasjen e Hajdarit.
Por emri i Çakrit rezulton në regjistrat e drejtësisë edhe për mashtrim, vjedhje, përplasje me armë me policinë dhe së fundmi është i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit.
Lini një Përgjigje