Detaje të reja zbulohen nga hetimet për zbardhjen e vrasjes së palestinezes Rayyan Alwan, e cila u vra nga i ati, Fadi Alwan.
Ngjarja e rëndë u zbulua më 27 shkurt në një shtëpi të marrë me qira në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë.
Autoritetet gjermane, në kthim-përgjigjen për autoritetet shqiptare bëjnë me dije se shkaku që mund të fshihet pas vrasjes së 24-vjeçares, është për çështje nderi, pasi dyshohet se familja ishte në presion për ekzistencën e një video ku vajza e tyre shfaqej nudo.
Në datën 26 shkurt, 1 ditë para se vajza e saj 24-vjeçare të gjendej e pajetë në një shtëpi me qira në Tiranë, nëna e saj ka bërë një kallëzim penal për zhvatje në Gjermani për këtë video.
Sipas nënës së Rayyan, prej dhjetorit 2024, ajo i kishte dhënë disa herë vajzës para për të paguar kërcënuesit që u kishte rënë në dorë video dhe vajza, pa praninë e së ëmës, i ka dërguar paratë përmes kompanive të transfertave, për të plotësuar kërkesat e shantazhuesit.
Megjithatë, në kallëzim, nëna e Rayyan nuk përjashton mundësinë që pas shantazhuesit të qëndronte vetë vajza e saj.
Sipas nënës, Rayyan kishte fluturuar në Shqipëri së bashku me të atin Fadi Alwan, i cili nuk jeton me nënën e saj, më 19 shkurt 2025.
Aty dyshohet se vajza i tregoi babait videon dhe nëna pretendoi se kishte lindur një mosmarrëveshje mes babait dhe vajzës, sipas saj një mosmarrëveshje verbale.
Interpol është duke ndjekur gjurmët e 49-vjeçarit Fadi Alwan, i cili dyshohet se fshihet në Liban.
Ekspertiza për vdekjen e vajzës nga Palestina ende nuk ka përfunduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. E reja kishte plagë të shkaktuara nga goditjet me mjet prerës.
Nga kqyrja e kamerave ka rezultuar se gjithë komunikimet në aeroport apo tek banesa e marrë me qira i kryente vetëm i ati, pasi 24-vjeçarja nuk fliste fare.
Policia kishte dyshime se dy palestinezët kishin përdorur dokumente false por deri më tani nuk ka rezultuar një gjë e tillë.
Palestinezët mbërritën në vendin tonë më 19 Shkurt përmes aeroportit të Rinasit nga Gjermania. Ata paraqitën dokumente greke në doganën shqiptare.
Ndërsa më 22 Shkurt, 49-vjeçari rezulton të jetë larguar nga Shqipëria drejt Greqisë e më pas në shtete të tjera.
Lini një Përgjigje