
Është identifikuar autori që vendosi eksploziv në një biznes në Fushë Krujë. Policia njofton se është shpallur në kërkim 26-vjeçari Kristian Caka.
"Zbardhet autorësia e vënies së një sasie lënde plasëse, në murin rrethues të një biznesi në Fushë Krujë, 2 ditë më parë.
Shpallet në kërkim autori i dyshuar. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti me të cilin ky shtetas lëvizi gjatë kryerjes së krimit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas njoftimit të shtetasit D. M., se gjatë natës së datës 05.03.2025, në murin rrethues të dyqanit të tij, në Fushë Krujë, kishte shpërthyer lëndë plasëse, që kishte shkaktuar dëme të vogla materiale, u mundësua identifikimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit K. C., 26 vjeç, banues në Krujë
Në vijim të veprimeve procedurale, 26-vjeçari u shpall në kërkim, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe ndalimin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia
Lini një Përgjigje