TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Mars 2026, 10:08

Vrasja e Ardian Nikulajt, Prokuroria e Lezhës kërkon burg përjetë për ekzekutorin, Ruben Saraiva

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Ardian Nikulajt, Prokuroria e Lezhës kërkon burg
Ekzekutori Ruben Saraiva dhe viktima Ardian Nikulaj

Sipas Prokurorisë, Saraiva është përgjegjës për ekzekutimin e biznesmenit Nikulaj...

Pas afro dy vitesh proces gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, Prokuroria paraqiti sot pretencën për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.

Seanca zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurin.

Sipas Prokurorisë, Saraiva është përgjegjës për ekzekutimin e ndodhur në prill 2023 në Shëngjin, një ngjarje që shkaktoi reagim të gjerë publik.

Referuar dosjes hetimore, ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Krimi ndodhi brenda ambienteve të një lokali në Shëngjin, ku Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, vrasja ka qenë e organizuar dhe e planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet thelbësor në realizimin e saj.

Gjatë seancave të mëparshme janë paraqitur prova materiale, dëshmi dhe ekspertiza, të cilat, sipas Prokurorisë, provojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë. Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në vijim.

Vrasja e Ardian Nikulajt

Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Haxhia sipas policisë ka marrë hak për dajat, Elton e Klodian Lekstakaj, por pavarësisht kësaj, për dy vëllezërit, burime nga grupi hetimor thonë se nuk ka ende asnjë provë që ti përfshijë direkt në ekzekutimin e Ardian Nikuljat, për gjakmarrje. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit.

I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.

Arratia dhe ekstradimi i Ruben Saraiva drejt Shqipërisë 

19 ditë pas vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, portugezi Ruben Saraiva, u arrestua nga autoritet marokene në një lokal në kryeqytetin Rabat.

Gjatë arrestimit Saraivës nuk iu gjetën dokumente me vete, por dyshimet e hetuesve shqiptar ishin se 28-vjeçari të ketë mbërritur në Marok me dokumente false, pasi me emrin e tij nuk ka dalë në mënyrë të rregullt nga Greqia, vend që e përdori për t’u larguar përmes pikës kufitare të Kapshticës ditën që vrau Ardian Nikulajn, në shoqërinë e anglezit tjetër, Harry Simpson. Portugezi më pas u ekstradua më 31 dhjetor 2023 në vendin tonë./Pamfleti

 

vrasja e ardian nikulajt prokuroria lezhë burg perjete ruben saraiva

Lini një Përgjigje