Në Shqipëri, Sinanaj ishte dënuar në vitin 2010 me tetë vite burg për trafik droge.
Flamur Sinanaj, i konsideruar nga autoritetet belge si një nga figurat kyçe të trafikut të kokainës, është ekstraduar nga Turqia drejt Belgjikës. Ai mbërriti javën e kaluar në territorin belg me një fluturim komercial, nën shoqërimin e agjentëve të policisë federale.
51 vjeçari Sinanaj kishte qëndruar rreth dy vite e gjysmë në një burg turk në pritje të përfundimit të procedurave të ekstradimit, shkruan "De Standaard".
Në Belgjikë, ai pritet të përballet me drejtësinë në kuadër të procesit të njohur si “Bressers”, një çështje e gjerë që lidhet me trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Sipas aktakuzës belge, grupi i drejtuar nga Sinanaj dyshohet se ka nxjerrë sasi të konsiderueshme kokaine nga kontejnerë të kontrabanduar drejt Evropës Perëndimore. Prokuroria pretendon gjithashtu se ai ka vepruar si korrier parash, duke zhvendosur rreth 17 milionë euro që dyshohet se i përkisnin organizatës kriminale.
Në Shqipëri, Sinanaj ishte dënuar në vitin 2010 me tetë vite burg për trafik droge.
Në komunikimet e zbuluara përmes aplikacionit të koduar SKY ECC, ai përdorte pseudonimin “Maradona”, ndërsa në rrethin e tij njihej edhe me nofkën “Baksteen”. Autoritetet belge e identifikojnë si pjesë të strukturave të krimit të organizuar në zonën e Anversës, ku ka jetuar për një periudhë të gjatë.
Ekstradimi i shtetasve të përfshirë në krime të drogës nga Turqia drejt Belgjikës konsiderohet i rrallë. Sipas mediave belge, Sinanaj dhe shtetasi boshnjak Sani Al Murdaa ishin zhvendosur fillimisht në Dubai në vitin 2023, pas përfshirjes në një seri përplasjesh dhe hakmarrjesh.
Në mars 2023, një sulm u regjistrua ndaj një restoranti në Wilrijk, ku Al Murdaa rezultonte themelues.
Më pas, ata u zhvendosën në Turqi dhe përfituan shtetësinë turke, bazuar në legjislacionin që u jep shtetësinë të huajve që investojnë të paktën 500 mijë dollarë ose blejnë prona. Fillimisht, kjo pengoi ekstradimin, pasi Turqia nuk ekstradon shtetasit e vet.
Megjithatë, pas raportimeve mediatike mbi identitetin dhe të shkuarën e tyre, autoritetet turke u hoqën shtetësinë, duke i hapur rrugë procedurave të ekstradimit. Procesi zgjati mbi dy vjet.
Ndërkohë, Sani Al Murdaa rezulton ende i zhdukur. Javën e kaluar, ai u dënua në mungesë nga një gjykatë në Dendermonde me 15 vite burg në kuadër të çështjes “Kookwas”, që lidhet me transportimin dhe përpunimin e kokainës në Belgjikë.
Procesi gjyqësor “Bressers” është pezulluar përkohësisht pas pranimit të një kërkese për përjashtimin e një gjyqtari. Më 16 mars, çështja pritet të rishqyrtohet nga një trupë e re prej tre gjyqtarësh, e cila do të vendosë mbi vijimin e procedurave.
Paralelisht, në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar pasuri që dyshohet se lidhen me Sinanajn si:
Apartament me sipërfaqe 76.5 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 70.000 Euro;
Njësi me sipërfaqe 163 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, përfituar sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 280.000 Euro;
Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 123 m2, në Rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 15.990.000 Lekë;
7 (shtatë) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 660 854 Euro;
3 (tre) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 7.574.664 Lekë;
Motorr Uji “Yamaha”, tipi motor Deti “Jetski”, viti i prodhimit 2016;
Varkë Vetorizine e përdorur “Yamaha 242X Limited USA”, viti i prodhimit 2017, me gjatësi 7.45 m;
Automjet, marka “GMC”, modeli SIERRA SLT, tipi Kamion, viti i prodhimit 2011;
Automjet, marka “Mercedes Benz”, modeli B180CDI, tipi 146, viti i prodhimit 2012.
Lini një Përgjigje