
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Peshtan Bregas, në Fier ku një 36-vjeçar, Hamza Duraj, ka humbur jetën në një aksident fatal me mjet bujqësor.
Sipas informacioneve mësohet se i riu kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë. Në ato çaste, freza i ka kaluar sipër trupit, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe vdekje të menjëhershme.
Trupi i pajetë është zbuluar nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë Fier dhe ambulanca, e cila e ka transportuar 36-vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë që në momentin e aksidentit.
Policia po kryen hetimet e plota për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një aksidenti të pastër pune pa faktorë të tjerë.
Lini një Përgjigje