Gazetari investigativ Artan Hoxha ka rrëfyer eksperiencën e tij të parë në Iran, në vitin 2008. Ai përshkroi marrëdhëniet e tensionuara mes popullsisë lokale dhe të huajve gjatë atyre viteve, dhe ndikimin e mentalitetit vigjilent që pa gjatë udhëtimit. Hoxha theksoi pritjen mikpritëse që mori nga iranianët, por edhe perceptimin e tyre të huajve si faktorë të mundshëm imperialistë.
Hoxha kujtoi se gjatë qëndrimit atje kishte qenë edhe dëshmitar i një ngjarjeje makabre: një ekzekutim publik ku u varën tetë persona. Sipas tij, katër prej tyre u akuzuan për bashkëpunim me Izraelin, dhe dënimet u ekzekutuan në mënyrë të hapur para turmës. Ai përshkroi këtë skenë si një manifestim të dhunshëm të dogmës shtetërore që shtrihej në politikë dhe shoqëri.
Hoxha komentoi në A2 CNN gjithashtu rolin e regjimit dhe rëndësinë strategjike të Iranit në arenën globale, duke lidhur pozicionin e tij jo vetëm me dogmat e brendshme, por edhe me pasuritë e mëdha natyrore që zotëron vendi.
Hoxha: Më kujtonte Shqipërinë e para viteve ’90. Ishin një popull shumë vigjilent me të huajt. Ishin shumë mikpritës, por raportonin çdo gjë të dyshimtë që mund të shikonin. Ne kishim prezencë atje, shumica studentë. Janë një popullsi e madhe, një komb me histori e kulturë, por dogma që ishte atje ishte radikale dhe e fortë. Ata thonin që pasuritë tona nuk duam të na i shfrytëzojnë imperialistët, amerikanët, rusët… Por, më ka rastisur që të isha i pranishëm edhe në ekzekutim. Ishte e shtunë dhe lajmëruan. Varën 8 veta. 4 i varën si bashkëpunëtorë të Izraelit dhe këto ekzekutime bëheshin në publik.
Ishte një regjim i cili, duke përdorur dogmën, mbahej në këmbë. Irani sot është vendi i dytë në botë për rezervat e gazit dhe i treti për rezervat e naftës. Nuk është rastësi që vendi i parë për rezervat e naftës ishte Venezuela dhe Maduro përfundoi atje ku përfundoi. Është një vend me resurse të jashtëzakonshme. Kjo e ka bërë Iranin që të jetë kaq i rëndësishëm.
Lini një Përgjigje