
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat në zonën e “Farmacia 10”, pranë Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, mbrëmjen e së martës, duke aktivizuar një operacion të gjerë emergjence.
Sipas të dhënave paraprake, 4 qytetarë dhe 3 punonjës të zjarrfikëses janë paraqitur në urgjencën e QSUT-së me shenja asfiksie si pasojë e tymit të dendur.
Zjarri, i cili ka përfshirë fasadën e godinës, vijon prej më shumë se dy orësh, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi, duke vështirësuar ndërhyrjen fillestare.
Në vendngjarje janë angazhuar 8 mjete zjarrfikëse, 6 automjete të emergjencave, si dhe rreth 50 forca që përfshijnë zjarrfikës, emergjencat civile dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Në mbështetje të operacionit janë vënë në dispozicion edhe 2 helikopterë Cougar të ushtrisë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e flakëve, ndërsa forcat ushtarake në terren po asistojnë në menaxhimin e situatës dhe në mbështetje të strukturave civile.
Ndërkohë, 4 autoambulanca janë vendosur në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe efektivëve që mund të preken nga asfiksia.
Lini një Përgjigje