Nuk kanë fund çudirat në Shqipëri gjatë sezonit turistik. Për shkak të dështimit të shtetit, deti është privatizuar dhe çdo sezon ka përplasje mes pronarëve të lokaleve. Një rast i tillë ka ndodhur sot ndërsa arsyeja është tërësisht banale.
Në media janë publikuar sot disa pamje nga Llamani i Himarës, ku disa të rinj tentojnë të rrahin me shkopa bejzbolli një të moshuar.
Sipas policisë, në vijim të veprimeve në lidhje me rastin, ka rezultuar se shtetasit A. M., 35 vjeç dhe K. M., 24 vjeç, janë konfliktuar fizikisht dhe kanë tentuar të godasin me sende të forta shtetasin Ll. Q., 74 vjeç, pasi ky i fundit ka dërguar dy punonjësit e tij shtetasit R. L dhe R. A., të shpërndanin disa fletëpalosje për të reklamuar biznesin e tij, i cili ndodhet afër me subjektin e palës tjetër të përfshirë në këtë konflikt.
Asnjë nga shtetasit e përfshirë në këtë konfilikt nuk ka ngelur i dëmtuar, pasi konflikti është neutralizuar në kohë nga efektivët e Policisë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë, në përfundim të veprimeve proceduriale do të referojnë materialet në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje