
58-vjeçari Isuf Jaçaj i cili u vra mbrëmjen e së shtunës në qytetin bregdetar të Sarandës, mësohet se merrej me turizëm.
Ai transportonte pushues me skafe, ndërsa një vit më parë ishte pjesë e një proteste që pronarët e mjeteve ujore kishte organizuar para Bashkisë së Sarandës.
Vetëm 3 muaj më parë, djali i 58-vjeçarit kishte qenë shënjestër e një atentati, ndërsa vetë i riu ishte përfshirë në një plagosje me armë.
Burime të Pamfletit konfirmojnë se Isuf Jacaj është babai i Klaus Jacajt, 31 vjeç, aktualisht në burg për “përkrahje të autorit të krimit”, lidhur me plagosjen e datës 17 korrik 2025, kur Ramadan Zoto qëlloi me armë në lagjen nr. 4, duke plagosur Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lamën nga Kamza. Vetëm katër ditë pas kësaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi eksploziv në makinën e Klaus Jacajt, duke e shkatërruar plotësisht atë.
Policia po heton në pistën e hakmarrjes së drejtpërdrejtë ndaj familjes Jacaj, si vijim i konflikteve të hapura të verës së këtij viti. Grupi hetimor ka rrethuar zonën dhe po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët.
Isuf Jacaj, i cili kohët e fundit punonte në sektorin e turizmit duke transportuar turistë me skaf, dyshohet se është ndjekur dhe ekzekutuar me eksploziv të komanduar në distancë.
Lini një Përgjigje