
Një operacion ndërkombëtar i drejtuar nga Europol çoi në goditjen e një grupi kriminal që trafikonte vajza nga Ekuadori dhe Kolumbia në drejtim të Shqipërisë dhe vende të tjera në Ballkan.
Operacioni çoi në arrestimin e disa personave dhe zbulimin e një skeme se si funksiononte rrjeti i prostitucionit me vajzat latine.
Report TV, duke iu referuar burimeve, bën me dije se gjatë kontrollit në banesën në Kolumbi të Lucas Betancur dhe babait të tij, që konsiderohen si koka e këtij grupi kriminal, janë gjetur kode të Bitcoin, fatura të shumta të tranfertave të parave që dyshohet se vinin nga aktiviteti i prostitucionit.
Përllogaritet se nga janari deri në momentin e goditjes së grupit, janë tranferuar mbi 1 mln euro, kryesisht nga vendet e rajonit dhe nga Shqipëria drejt Kolumbisë. Jo vetëm kaq, por janë zbuluar dhe disa banesa, apo hotele që përdoreshin si fole për prostitucionin në Tiranë për vajzat kolumbiane.
Sipas burimeve, mësohet se i njëri prej të arrestuarve, Mirel Shperdheja, është pronar i një agjencie të pronave të paluajtshme, kishte vendosur 15 banesa me Airbnb në dispozicion për prostitucionin, raporton Report Tv.
Ndërsa Ilmar Gugashi, është pronari i hotelit në afërsi të Gjykatës së Lartë, godinë gjithashtu e përdorur në këtë aktivitet.
I arrestuari tjetër Dritan Suka, komunikonte drejtpërdrejt me Lukasin në Kolumbi, ndërkohë që jepte gjithashtu banesa me qira për vajzat që shfrytëzoheshin.
Në njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet se rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine e kishte 25-vjeçari L.B., i arrestuar në Kolumbi, i cili po ashtu kujdesej për udhëtimin dhe strehimin e tyre në Shqipëri. Hetimet kanë zbuluar se nëse ndonjë nga shtetaset e shfrytëzuara refuzonte të vazhdonte ushtrimin e prostitucionit, atëherë mbajtja e tyre bëhej me anë të forcës dhe kanosjes ndaj tyre e familjarëve në Kolumbi, duke përfshirë edhe persona të afërt.
Të tjerë të hetuar, kujdeseshin për sigurimin e kushteve logjistike për akomodimin dhe menaxhimin e rrjetit, duke përdorur edhe platformat online të quajtura ‘eskort’.
Një nga të arrestuarit ka përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë si vend për ushtrim prostitucioni nga vajzat e trafikuara. Në këtë hotel shfrytëzoheshin për prostitucion disa shtetase me origjinë nga Kazakistani, të cilat strehoheshin po aty. Ndërkohë një tjetër i hetuar, kryente shpërndarje të lëndëve narkotike për disa nga vajzat, si dhe lehtësonte kontaktet me klientët.
Sipas njoftimit, një nga të arrestuarit mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e 25-vjeçarit L. B në Kolumbi.
Operacioni ndaj këtij grupi është realizuar në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese e të drejtësisë të Kolumbisë, Koracisë, me Europol dhe Eurojust. Në përfundim të hetimeve janë lëshuar 19 masa sigurimi, 9 prej të cilave janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi. Nërkohë, janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë dhe janë proceduar penalisht 48 shtetase të huaja me kombësi të ndryshme.
Lini një Përgjigje