TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Maj 2026, 13:24

U kap me mbi 44 kg kokainë në autostradë, arrestohet shqiptari në Itali

Shkruar nga Pamfleti
U kap me mbi 44 kg kokainë në autostradë, arrestohet shqiptari
Foto Ilustrim

Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap me një sasi të madhe kokaine në automjetin e tij, gjatë një kontrolli në autostradë pranë Fiorenzuola-s.

Sipas mediave italiane, i dyshuari po udhëtonte në Autostradën e Diellit në drejtim të Adriatikut, ndërsa në SUV-in e tij transportonte drogë me vlerë rreth gjysmë milioni euro. Operacioni u zhvillua në zonën e shërbimit Arda Ovest, ku policia rrugore ndaloi mjetin për një kontroll rutinë.

Që në momentet e para, drejtuesi i automjetit shfaqi shenja nervozizmi dhe dha përgjigje të paqarta për qëllimin e udhëtimit. Mungesa e bagazheve shtoi dyshimet e efektivëve, të cilët vendosën të kryenin një kontroll më të detajuar të automjetit.

Gjatë kontrollit, u zbulua një ndarje e fshehtë në brendësi të SUV-it, ku ishin fshehur 40 pako të mbështjella me celofan, që përmbanin gjithsej 43 kilogramë kokainë. Analizat e policisë shkencore në Piacenza konfirmuan natyrën e lëndës narkotike.

Hetimet vijuan me kontrollin e një automjeti të dytë në pronësi të të arrestuarit. Në këtë mjet u gjet një dysheme e dyfishtë, ku ishte fshehur edhe një kilogram tjetër kokainë, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në mbi 44 kilogramë.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan edhe mbi 10 mijë euro, të dyshuara si të lidhura me aktivitetin kriminal.

Ndërhyrja u krye rreth orës 20:00 nga një patrullë e policisë rrugore të Lodit, pjesë e nënseksionit autostrada të Guardamiglio (Piacenza Nord). Pas arrestimit, shtetasi shqiptar u dërgua në burgun e Piacenzës, ku do të përballet me akuzën për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.

Autoritetet italiane theksuan se operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për goditjen e trafikut të drogës dhe rritjen e sigurisë në rrugët kryesore të vendit.

44 kg kokainë autostradë arrestohet shqiptari itali

Lini një Përgjigje