
Është zbardhur vdekja e 70-vjeçarit, Musa Bajraktari, i cili u gjet i pajetë në një kanal në Shkodër.
Fillimisht u dyshua se ishte vdekje natyrale, por u zbulua se viktima ishte goditur me sëpatë nga fqinji i tij, i cili më pas e kishte hedhur në kanal.
Autori i dyshuar, Xhemal Zeqiri është arrestuar nga policia e Shkodrës dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.
“Rreth orës 14:25, në kanalin e fshatit Boks, është gjetur trupi i pajetë i shtetasit M. B., 70 vjeç, banues në fshatin Kullaj. Nga këqyrja e trupit të 70-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht dyshohet se ky shtetas e ka humbur jetën prej shkaqeve natyrale”, njoftoi policia ditën e djeshme (29 tetor).
Ndërkohë, policia ka reagur zyrtarisht ditën e sotme duke dhënë detaje të reja nga krimi i rëndë.
Sipas uniformave blu, mësohet se 60-vjeçari e ka goditur fqinjin e tij me një mjet prerës. Pas ekspertizës, u zbulua se Musa Bajraktari ishte goditur për vdekje nga fqinji 60-vjeçar, i cili u arrestua për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Trupi i viktimës u gjet në kanalin e fshatit Boks, rreth orës 14:25, ndërsa i moshuari ishte banues në fshatin Kullaj.
Policia po heton për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
"Vihet në pranga fqinji i 70-vjeçarit, i cili nga hetimet e thelluara rezultoi se vrau këtë shtetas, me mjet prerës, pas një konflikti për motive të dobëta.
Sekuestrohet mjeti prerës (sakicë), me të cilin u krye vrasja.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 19.10.2023, në fshatin Boks, Shkodër, ku në një kanal u gjet trupi i pajetë i shtetasit M. B., 70 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për të cilin paraprakisht u dyshua se e kishte humbur jetën, prej shkaqeve natyrale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ata të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, për të cilën u vu në pranga shtetasi:
-Xh. Z., 60 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Shkodër, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Nga provat e siguruara dyshohet se 60-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (sakicë), në kokë, shtetasin M. B., i cili për shkak të goditjes, ka rënë në kanalin e fshatit Boks, ku u gjet i pajetë më pas.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (sakicë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje