TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Korrik 2025, 18:37

U arrestua pas ndjekjes si në filma; pasagjeri në Audin Q8, një prej djemve që mbajti ‘peng’ vajzën në Astir

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua pas ndjekjes si në filma; pasagjeri në Audin Q8, një

Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen që ndodhi pasditen e sotme në Tiranë, ku si nëpër filma, policia ndoqi një automjet luksoz nga Myslym Shyri deri në zonën e ish-bllokut, duke arrestuar pasagjerin e mjetit që rezultoi se ishte i armatosur, ndërsa shpalli në kërkim drejtuesin e automjetit luksoz.

Mjeti ishte një Audi Q8, të cilin e përplasi me 3 makina të tjera, në momentet e fundit para arrestimit.

Po kush ishte personi i arrestuar, që solli vërdallë policinë?

Bëhet fjalë për Skerdi Sinën, i cili prej janarit 2025 rezulton person në kërkim policor pas një ngjarjeje të ndodhur në zonën e Astirit, ku 5 persona mbajtën ‘peng’ për disa orë një vajzë.

Policia shpalli në kërkim në atë kohë 5 persona, mes të cilëve edhe Skerdi Sinën.

Ka qenë vetë vajza e re, e cila ka denoncuar rastin në polici, më pas ngjarja alarmoi zonën e Astirit, për shkak se pas denoncimit vajza nuk hapte derën, por është dashur ndërhyra e forcave speciale për t’u futur në apartament.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:

S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore”, njoftonte në atë kohë policia.

Njoftimi zyrtar nga Policia

Nuk iu bindën urdhrit të Policisë, përplasën 3 automjete gjatë tentativës për t’u larguar, braktisën automjetin dhe hodhën në rrugë një armë zjarri, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, vë në pranga njërin prej tyre dhe vijon puna për kapjen e shtetasit të dytë, i cili dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit.

Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime të arsyeshme se personat në automjet mund të ishin të armatosur.

Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”.

Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.

Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, shtetasit S. S., 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion.

Ndërkohë, është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Lini një Përgjigje