
Zhvatja e pasurisë nëntokësore të Shqipërisë nga kompania Bankers tejkalon të gjitha aferat së bashku në historinë e pluralizimit shqiptar...
Administratori i kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”, kinezi Hongping Xiao ka rënë në prangat e policisë.
Pas shumë skandalesh dhe aferash, më në fund policia ka mësyrë sot në zyrat e kompanisë, duke arrestuar dhe proceduar disa persona. Sipas informacioneve, shkak dyshohet se janë skandalet me detyrimet tatimore, skandale që "Pamfleti" i ka denoncuar me qindra herë. Kompania akuzohet për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Forcat policie, të shoqëruara nga një furgon i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, u panë të hyjnë në mesditë në ambientet e zyrave qendrore të kompanisë, e cila operon në sektorin e nxjerrjes së naftës në fushën e Marinzës. Policisë i është dashur të hyjë me forcë, pasi nuk hapnin dyert e kompanisë.
Vjedhja më e madhe e pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, me shumë gjasa që nga Epoka Romake, mban emrin "Bankers Petroleum Albania".
Të dhënat zyrtare tregojnë se zhvatja e pasurisë nëntokësore të Shqipërisë nga kompania Bankers tejkalon të gjitha aferat së bashku në historinë e pluralizimit shqiptar (shkatërrimi i fabrikave, vjedhja e floririt, shitja e hidrocentraleve, privatizimet, CEZ, ARMO, pullat fiskale, markimi i karburanteve, tjetërsimi i pronave të ushtrisë, koncesionet në shëndetësi, inceneratorët, ish Hotel Dajti, vjedhja e lekëve të përdorur në Bankën e Shqipërisë etj.)
Zhvatja e pasurisë nëntokësore shqiptare është bërë në bashkëpunim me të gjitha qeveritë nga viti 2004 deri në vitin 2025, duke blerë prokurorë dhe gjyqtarë, media, shoqata, qeveritë dhe çdo faktor tjetër të mundshëm.
Që nga viti 2004, kompania Bankers ka hapur rreth 1 mijë puse të rinj nafte në zonën e Patoz-Marinëz. Për 20 vite, Bankes ka prodhuar rreth 13 milionë ton naftë.
Të ardhurat e kompanisë nga prodhimi i naftës janë mbi 4 miliardë Euro, gati sa buxheti vjetor i Shqipërisë. Gjatë 20 viteve, kompania Bankers Petroleum Albania ka paguar zero tatim mbi fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.
Marrëveshja parashikon që Bankers Petroleum Albania është e detyruar që të paguajë çdo vit tatim mbi fitimin, në masën 50 % të fitimit.
Bankers Petroleum ka manipuluar çdo vit shpenzimet, duke sajuar dhe fryrë shpenzimet. Pas 20 vitesh shpenzimet e Bankes tejkalojnë të ardhurat.
Duke rritur fiktivisht shpenzimet, kompania ka shmangur derdhjen në buxhetin e shtetit të tatimit mbi fitimin. Tek shpenzimet futen rrogat marramendëse të kupolës së kompanisë grabiqare, korruptimi i Albpetrol, i AKBN-së, i qeveritarëve, i deputetëve, i gjyqtarëve, prokurorëve etj.
Pas Bankers Petroleum Albania qëndrojnë disa kompani, por fundi i tyre është në Kinë. Kompania mëmë përfundimtare eshte Charter Power Investment Limited, në pronesi të GEO-JADE PETROLEUM CORPORATION, me seli në Kinë.
Nuk dihet se kush janë pronarët fundorë. Por, nuk ka dyshim se cilido kinez të jetë, nuk mund të bëjë rrush e kumbulla pasurinë nëntokësore shqiptare, pa bashkëpunimin me pushtetarët tanë të korruptuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje