Dy trupa të pajetë u gjetën të dielën në një shtëpi në Fort Wayne, Huntertown të SHBA. Bëhej fjalë për një çift shqiptar bashkëshortësh, Arben Gllafce, 49 vjeç dhe Arjana Gllafce 48-vjeçe. Ata ishin qëlluar me armë zjarri dhe u gjetën të dy të vdekur në momentin kur mbërriti policia.
Këtë të mërkurë, autoritetet amerikane kanë bërë publike identitetet e tyre, ashtu sikurse edhe rrethanat e krimit të rëndë. Kështu, sipas asaj që raportojnë mediat atje, ekspertiza mjeko-ligjore doli në konkluzionin se Arjana u vra nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u vetëvra.
Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht nuk dihen ende.
Çifti Gllafce ishin prindër të 2 djemve, njëri 23 vjeç, ndërsa tjetri 10. Djali i vogël mësohet se vuan nga autizmi. Të afërm të familjes Gllafce kanë hapur një llogari në Gofundme për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve tashmë jetimë, si dhe për të sjellë familjarë të tyre në SHBA për t’u kujdesur për ta.
Ndërkohë, në rrjetet sociale, miq e të afërm të Arjanës shprehin dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
“E bukura, e shtrenjta motra ime. Qofsh e parajsës. Do më marrë malli tmerrësisht”, shkruan motra binjake e Arjanës, teksa poston një foto të saj.
Por fjalët më prekëse vijnë nga babai i moshuar i 48-vjeçares.
“Ah sa shumë u lënduam moj bir i babit, e pazëvendësueshme dhe shpirti jonë Arjana. U largove atëherë kur duhej të jetoje. Të shikoje lumturinë e djemve të tu, që aq shumë i deshe dhe u ishe përkushtuar si një prind shembullor. Shpirti ynë e di se si po durojmë këtë dhimbje të madhe dhe këtë sprovë që na dha Zoti në pleqëri. E paharruar do të mbetesh në zemrat tona dhe të atyre që të kanë njohur. Të ndritë shpirti dhe u bëftë dritë në rrugëtimin e fëmijëve të tu. E parajsës qofsh bashkë me bashkëshortin që Zoti nuk ju ndau as këtu. Qoftë i lehtë dheu! Babi dhe mami që të kanë dashur aq shumë”, shkruan ai.
Reagimi i babait të saj është i dy ditëve më parë, kur ende nuk dihej që Arjana ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.
Lini një Përgjigje