
26-vjeçari ka qëlluar me grushte në fytyrë një prej efektivëve dhe kjo ka sjellë përdorimin e armës.
Qyteti i Fierit është alarmuar mbrëmjen e sotme nga të shtënat me armë zjarri. Në qendër të qytetit ka pasur një përplasje mes një patrulle policie dhe një qytetari, duke bërë që të ketë përdorim të armëve të zjarrit.
Paraprakisht, dyshohet se një p26-vjeçar është konfliktuar me patrullën e policisë që ka qenë në qendër për të bllokuar trafikun, pasi në shesh ka koncert. I riu ka dashur të kalojë, por efektivët e kanë ndaluar. Më pas ka pasur debate dhe përplasje fizke mes tyre. Kjo ka bërë që efektivi me inicialet SH.J, të qëllojë ndaj tij duke e plagosur në këmbë.
Mësohet se efektivi është ndalur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, teksa mësohet se i riu i plagosur është djali i një tjetër efektivi.
Paraprakisht raportohet se i plagosuri është nga Levani. Në vendin e ngjarjes ka shkuar një numër i madh i forcave të policisë, ndërkohë që efektivi që përdori armën po merret në pyetje për të zbardhur dinamikën e plagosjes.
I plagosuri mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. I riu është dërguar në spitalin e Fierit për ndihmë mjekësore.
Vetë policia reagoi më pas duke deklaruar se 26-vjeçari ka qëlluar me grushte në fytyrë një prej efektivëve dhe kjo ka sjellë përdorimin e armës.
"Rreth orës 19:20, në vendin e quajtur “Ish globi”, në qendër të qytetit të planizuar me shërbim, shërbimet e Policisë kishin bllokuar një segment rrugor për zhvillimin e një koncerti. Shtetasi D. B, 26 vjeç duke drejtuar një automjet tip “Volkswagen” është afruar te punonjësit e Policisë dhe ka tentuar të futet në rrugën e bllokuar.
Punonjësit e Policisë nuk e kanë lejuar të futet brenda perimetrit të sigurisë dhe në atë momentet shtetasi D. B., ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar me grushte në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në gojë.
Inspektor Sh. J., në kushtet e vetëmbrojtjes ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur në këmbë shtetasin D. B.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë të cilët kanë dërguar menjëherë për në spital për ndihmë mjekësore shtetasin D. B., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë është shoqëruar në spital për ndihmë mjeksore dhe punonjësi i Policisë, shtetasi Sh. J. dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme.
Të gjitha veprimet po kryhen nga Agjensia e Mbikëqyrjes Policore në drejtimin e Prokurorisë për shmangur konfliktin e interesit. Në përfundim të veprimeve hetimore, AMP do të japi informacion të zgjeruar në lidhje me këtë ngjarje", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje