TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Prill 2026, 14:52

'Skifteri' shqiptar grabit bazilikën në Bolonja të Italisë, arrestohet pas 1 muaji në Slloveni

Shkruar nga Pamfleti

'Skifteri' shqiptar grabit bazilikën në Bolonja të

Një 44-vjeçar shqiptar është identifikuar nga autoritetet italiane si autori i vjedhjes në Bazilikën e San Luca-s në Bolonja, pas një hetimi që zgjati rreth një muaj e gjysmë.

Sipas policisë, ai po hetohet si për grabitjen në ambientet e bazilikës, ashtu edhe për vjedhjen e automjetit që përdori për realizimin e saj. 44-vjeçari rezulton me precedentë penalë.

Ngjarja daton në 17 shkurt, kur dyshohet se fillimisht vodhi një makinë dhe më pas, gjatë natës, hyri në bazilikë duke shfrytëzuar një kantier ndërtimi në afërsi të saj. Në këtë mënyrë ai arriti të depërtojë pa u vënë re në ambientet e brendshme.

Brenda objektit fetar, ai grabiti bizhuteri të dhuruara për ikonën e Virgjëreshës, si dhe donacione të tjera të besimtarëve.

Një nga provat kyçe për hetuesit ishte një dorezë e lënë në vendngjarje, e cila ndihmoi në identifikimin e autorit.

Pas vjedhjes, ai u largua me automjetin e vjedhur, të cilin e braktisi disa kilometra më tej. Mjeti u gjet i pastruar me kujdes, çka tregon përpjekjen e autorit për të zhdukur gjurmët.

Identifikimi i tij u bë i mundur pas analizimit të një numri të madh pamjesh nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave policia rindërtoi lëvizjet e tij në detaje.

Vetëm një ditë pas ngjarjes, 44-vjeçari u lokalizua në Slloveni, ku dyshohet se po tentonte të largohej drejt Shqipërisë.

Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se sistemi i alarmit në bazilikë ishte i çaktivizuar për shkak të punimeve, një rrethanë që mund të ketë lehtësuar realizimin e vjedhjes. Prokuroria italiane ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka nisur procedurat ligjore ndaj tij për të dyja veprat penale.

Lini një Përgjigje