Hita zbarkon në "çerdhen" e krimit, porosi të qarta policëve...
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka zhvilluar një takim me efektivët e Komisariatit të Krujës, pas inaugurimit të ambienteve të reja.
Kruja konsiderohet si një nga zonat më problematike në vend, e njohur për atentate, krime dhe aktivitet të lidhur me lëndët narkotike, ku sipas burimeve jeton një kontingjent i gjerë i botës së krimit. Në këtë kontekst, prania e drejtuesit të Policisë në këtë zonë shihet si një sinjal për rritje të presionit ndaj kriminalitetit.
Gjatë takimit me efektivët, Hita kërkoi nga strukturat vendore rritje të profesionalizmit në sigurimin e informacionit, me fokus parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
"Tani jemi në fazën fillestare të sezonit të kultivimit të kanabisit, ku grupet e kontrollit duhet të jenë më të angazhuara, të gjithë duhet të merrni informacion policor, cilësor për goditjen e kësaj veprimtarie. Të bëni përpjekjet maksimale që ne të kemi një vit pa kultivim", u shpreh Hita.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për identifikimin e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit, si dhe kapjen e personave në kërkim. Në këtë kuadër, u ndal edhe te një individ i kërkuar, i cili sipas tij vijon t’i shpëtojë policisë, ndonëse gjatë kontrolleve në banesën e tij janë gjetur armë.
Fjala duket se është për Ylli Zallën. Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua një tjetër arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe miku u tij, Muçi Shaljani.
Drejtori i Policisë theksoi edhe rëndësinë e luftës ndaj armëmbajtjes pa leje dhe krimeve mjedisore. Ai kërkoi gjithashtu reagim të menjëhershëm ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve, pavarësisht rëndësisë së tyre.
Hita kërkoi gjithashtu rritje të performancës nga efektivët, duke theksuar se kushtet e reja të punës kërkojnë standard më të lartë shërbimi për qytetarët.
Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga Policia Rrugore zbatim rigoroz të detyrave dhe përdorim të teknologjisë për evidentimin e shkeljeve.
Lini një Përgjigje