Raporti i Antimafias italiane zbulon strukturën e organizuar, investimet në restorante dhe rolin në trafikun e drogës, me përfshirje në rritje të grupeve shqiptare
Organizata mafioze “Ndrangheta” vazhdon të mbetet forca kriminale më e strukturuar dhe e rrënjosur në rajonin italian të Ligurisë, ndërsa po evoluon drejt formave më të fshehta të operimit, duke u integruar gjithnjë e më shumë në ekonominë ligjore. Kjo del nga raporti vjetor i Komisionit Antimafia, i miratuar në Këshillin Rajonal, si dhe nga dëgjesat me prokurorë dhe hetues.
Sipas raportit, në provincën e Savonës dominimi kriminal ushtrohet kryesisht nga familje me origjinë kalabreze, veçanërisht nga zona e Reggios, të përfshira në manipulim tenderësh dhe forma intimidimi. Megjithatë, ky dominim po sfidohet gradualisht nga struktura të tjera kriminale.
Në nivel rajonal, ’Ndrangheta operon përmes një organizimi të mirëpërcaktuar territorial. Një “makrozonë” e quajtur Liguria koordinon aktivitetet e njësive lokale (“locali”) të shpërndara në Lindje dhe Perëndim. Sipas hetimeve, struktura e Gjenovës shërben si “dhomë kontrolli”, duke lidhur drejtpërdrejt qendrat kriminale në Kalabri me degët lokale. Ndërkohë, njësia e Ventimiglias funksionon si “dhomë kalimi”, duke garantuar vazhdimësi operative me rrjetet në Francë, veçanërisht në Bregun e Azur.
Mafia “e heshtur” dhe ekonomia ligjore
Raporti thekson se ’Ndrangheta dhe grupet e tjera kriminale po veprojnë gjithnjë e më shumë në mënyrë diskrete, duke u shndërruar në atë që përkufizohet si “mafia e heshtur”. Kjo strategji bazohet në fshehjen e aktiviteteve të paligjshme dhe në zgjerimin e rolit sipërmarrës, sidomos përmes pastrimit të parave.
Rreziku kryesor lidhet me blerjen e bizneseve në vështirësi financiare, të cilat përdoren për të ricikluar kapitalet e paligjshme. Në këtë kontekst, sektori i restoranteve konsiderohet veçanërisht i ekspozuar.
Prokurorja e Antimafias në Romë, Maria Cristina Palaia, deklaroi gjatë një dëgjese parlamentare se “sektori i restoracionit është ndër më të ekspozuarit ndaj riinvestimit të parave me origjinë të paligjshme”, duke shtuar se flukset financiare në këtë fushë janë shpesh të vështira për t’u gjurmuar.
Hetimet e Drejtorisë Antimafia në Romë mbi të ashtuquajturin “grupi Senese” kanë evidentuar investime në restorante, ku dyshohet se janë përdorur fonde të lidhura me organizata kriminale, përfshirë struktura të lidhura me ’Ndrangheta-n dhe Camorra-n.
Portet dhe trafiku ndërkombëtar i drogës
Liguria konsiderohet një nyje strategjike për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Portet e Gjenovës, La Spezias, Savonës dhe Vado Ligure identifikohen si pika kyçe hyrëse, sidomos për kokainën nga Amerika Latine. Rajoni përfaqëson mbi 18% të sekuestrimeve portuale në nivel kombëtar, shifra më e lartë në veri të Italisë.
Organizatat kriminale përdorin teknika të sofistikuara për të shmangur kontrollet, përfshirë metodën “rip-off” (nxjerrja e drogës nga kontejnerët me ndihmën e punonjësve të korruptuar portualë), përdorimin e zhytësve për ngarkesa të fshehura në anije dhe teknikën “drop-off”, ku droga lihet në det dhe rikuperohet përmes pajisjeve satelitore.
Roli i grupeve shqiptare
Raporti evidenton një ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrat e krimit të organizuar: bashkëpunimi mes ’Ndrangheta-s dhe kriminalitetit shqiptar është bërë më i barabartë. Nëse më parë grupet shqiptare përdoreshin kryesisht si forcë operacionale, ato tani janë specializuar në logjistikë, duke menaxhuar faza kyçe si transporti, magazinimi dhe shpërndarja e drogës.
Ky zhvillim tregon një rritje të autonomisë dhe kapaciteteve të grupeve shqiptare në zinxhirin ndërkombëtar të narkotrafikut.
Ndikimi në institucione dhe ekonomi
Sipas raportit dhe deklaratave të Andrea Orlando, ish-ministër i Drejtësisë dhe aktualisht kryetar i Komisionit Antimafia në Liguri, rreziku nuk qëndron vetëm te infiltrimi i drejtpërdrejtë, por te format më të sofistikuara të ndikimit.
“’Ndrangheta mbetet organizata më e strukturuar, por po evoluon drejt një forme më pak të dukshme dhe më depërtuese, e aftë të hyjë në sektorë ekonomikë, logjistikë dhe ndërmarrje në vështirësi,” deklaroi Orlando.
Ai paralajmëroi se portet dhe investimet publike, përfshirë fondet e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes (PNRR), përbëjnë zona me rrezik të lartë për abuzime, nga mashtrimet financiare deri te korrupsioni dhe manipulimi i tenderëve.
Strategjitë e reja dhe sfidat e luftës kundër mafias
Hetimet po fokusohen gjithnjë e më shumë në të ashtuquajturat “krime sinjalizuese”, si mashtrimet fiskale, faturat fiktive dhe përfitimi i paligjshëm i fondeve publike. Paralelisht, autoritetet po përdorin instrumente parandaluese si listat “ëhite list”, kontrollet në kantierë dhe protokollet e ligjshmërisë për të monitoruar aktivitetet ekonomike.
Një tjetër sfidë mbetet menaxhimi i pasurive të konfiskuara. Në Liguri numërohen qindra prona dhe biznese të sekuestruara nga mafia, por mungesa e financimit dhe mbështetjes institucionale rrezikon rikthimin e tyre në qarkullime të paligjshme.
Raporti përfundon se sfida kryesore nuk është vetëm goditja penale e mafias, por parandalimi i integrimit të saj në ekonominë dhe institucionet publike. Në këtë kuadër, roli i transparencës, kontrollit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mbetet vendimtar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje