
Pamjet filmike tregojnë se ish-shefi i qarkullimit rrugor të Vlorës, Ardian Isufi, së bashku me Leart Bimon, person me precedent të rëndë penal, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një kamarieri të ri, vetëm pse ai kishte çuar në tavolinë një shishe uji më shumë se porosia.
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Skelës në Vlorë, në ambientet e një hoteli të njohur, ku një kamarier është sulmuar brutalisht gjatë orarit të punës, në prani të klientëve vendas dhe të huaj, nga një efektiv policie jashtë detyrës dhe një person me të kaluar kriminale.
Burime nga vendngjarja dhe pamjet filmike tregojnë se ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, Ardian Isufi, së bashku me Leart Bimon, person me precedent të rëndë penal, kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj një kamarieri të ri, vetëm pse ai kishte çuar në tavolinë një shishe uji më shumë se porosia.
Sipas dëshmitarëve, Isufi është parë teksa i afrohet kamarierit në mënyrë kërcënuese, ndërsa më pas, Leart Bimo e sulmon fizikisht disa herë, duke rrezikuar seriozisht jetën e të riut. Dhuna është kryer në sy të klientëve të cilët, janë larguar nga lokali të tmerruar nga skena.
Ndërkohë, i riu ka bërë kallëzim në polici dhe është marrë në pyetje nga blutë e Vlorës, bashkë me punonjës të tjerë të hotelit e dëshmitarë.
Sipas tij, debati ka nisur që në tavolinë, ku Isufi dhe Bimo kanë pretenduar se kamerieri u ka dërguar një shishe ujë tepër. Aty ata kanë nisur ta ofendojnë më pas e kanë ndjekur nga tavolina deri në banak ku ushtuan edhe dhunën.
“Quhem Ron Balaj, jam tetëmbëdhjetë vjeç, punoj këtu tek Regina Garden. Erdhën dy zotëri, u ulën në tavolinë. Porosinë e mori dikush tjetër dhe mua më thanë thjesht që t'ua çoja porosinë. Porosia, ishte një shishe ujë e madhe, një shishe e vogël, një makjato. Ia çova në tavolinë dhe tjetri më thotë vetëm një ujë sill. Po vëlla, ta heq unë ujin i thashë. Shahu dhe herë të tjera. Ia hoqa ujin nga tavolina, i thashë vëlla do ta heq unë ujin, vetëm s'ka nevojë të shash, se edhe ai tjetri padashje e ka bërë. Vijnë të dy burrat më ndjekin deri në banak. Jo po pse ashtu, jo po pse kështu vjen më kap me dorë ai, jo po pse flet ti tërë pordhë. I thashë vëlla, të lutem mos kap me dorë. Menaxheri ishte aty, të lutem mos kap me dorë. Vjen ai tjetri nga pas dhe më qëllon tre herë. Të parën me dackë e dy të tjera me grusht, mu në mes të lokalit atje, se i çova një bidon më tepër. Kaq ishte e gjitha”, tregon ai.
Gjithashtu, në polici ka dëshmuar edhe kamarieri i cili ka marrë porosinë te tavolina ku ishin efektivi i policisë dhe miku i tij i njohur për botën e krimit.
“Unë vajta të merrja porosinë, më thanë do më sjellësh një ujë të vogël, një ujë të madh dhe një kafe. E mora porosinë dhe ngaqë kishim shumë ngarkesë, ia çoi djali tjetër. I tha ai që nuk të thashë për ujin e vogël dhe më shau mua. Djali i tha si njeri nuk është nevoja të na i ofendosh. Ata shkuan dhe e qëlluan”, thotë ai.
Deri tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Vlorës.
Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është dyshimi se dhuna mund të ketë qenë e organizuar, me qëllim intimidimin dhe sabotimin e aktivitetit të biznesit. E gjithë kjo ndodh në një qytet turistik, në sezon të lartë, kur qytetarë dhe vizitorë kërkojnë siguri dhe në vend të saj përballen me dhunë të egër nga njerëz që duhet të ishin garant të ligjit.
Ku janë institucionet?
SHÇBA- Pse nuk është pezulluar menjëherë Ardian Isufi?
Prokuroria e Vlorës- A do të regjistrojë procedim penal për dhunë, kanosje, dhe cenim të rendit publik?
Policia a do distancohet nga efektivët që njollosin uniformën?
Turizmi në Vlorë- Kush mban përgjegjësi kur një punonjës i ndershëm rrihet para turistëve në mes të lokalit?
Ky nuk është një incident, është një ngjarje dhune ndaj një të riu që ka dalë nga shtëpia për të siguruar të ardhura familjes ndërsa krimi dhe uniforma ndajnë të njëjtën tavolinë!
Lini një Përgjigje