
Trafikantët dhe shpërndarësit shqiptarë të drogës në Itali duket se po përdorin strategji të reja për të mos u kapur nga policia në veprimtarinë e tyre në trafikun e narkotikëve.
Skema është zbuluar nga policia italiane gjatë një operacioni në fundjavë, ku rezultoi se droga shpërndahej përmes automjeteve që merreshin me qira.
Një 25-vjeçar në Cortona u arrestua duke shpërndarë drogë me një makinë që e kishte marrë me qira nga një kompani private.
Ka qenë një kontroll i rastësishëm nga patrulla që çoi në zbulimin në pjesën e pasme të sediljes edhe 13 doza të mbështjella me kokainë, me peshë totale 7 gramë.
Por ajo që ka habitur karabinierët dhe hetuesit ka qenë fakti se tashmë trafikantët po përdorin si strategji edhe marrjen e makinave nga kompanitë që i lëshojnë me qira, për t’i përdorur me qëllime kriminale dhe mbuluar sadopak gjurmët apo ngatërruar investiguesit.
Dhe ky nuk ishte rasti i vetëm. Sepse disa orë më pas, pak kilometra më tej, oficerët duke marrë shkas nga rasti i parë, ushtruan kontrolle në një tjetër mjet të marrë me qira nga një shqiptar 20-vjeçar, informon media italiane.
Në përfundim u zbuluan e fshehur poshtë sediljes së përparme, në anën e drejtuesit të mjetit, një kuti cigaresh me 5 mbështjellës lëndë narkotike të llojit kokainë, në total 3 gramë. Si provë u sekuestruan edhe 400 euro cash. Shqiptari u arrestua dhe për qëllime hetimore të mëtejshme.
Lini një Përgjigje