
Shkon në 8 numri i shqiptarëve të arrestuar, nga operacioni i finalizuar ditën e djeshme nga policia italiane kundër shpërndarjes dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Janë ekzekutuar 7 urdhra-arresti, ku 6 prej të arrestuarve janë shqiptarë ndërsa një tjetër italian. Gjykata e Astit kishte dhënë ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” për trafik kokaine.
Një urdhër i tetë, i veçuar me këtë rast, u finalizua në një tjetër aksion ndaj një shqiptari që u kap me rreth 300 gramë kokainë.
Organizata vepronte kryesisht në Granca, Cuneo dhe Asti. Hetuesit kanë mundur të gjurmojnë edhe lëvizjet e celulës, rolet e të dyshuarve dhe operacionet financiare të tyre.
Krerët e organizatës rekrutonin të rinj nga Shqipëria me ‘kontrata’ 3-mujore, koha e shkeljes së zonës Shengen, teksa u sigurohej akomodimi, mjetet e transportit, ushqimi dhe një rrogë e mirë mujore që shkonte deri në 3 mijë euro në muaj. Drejtuesit e grupit kujdeseshin për korrierët e tyre edhe në rastet kur ata dëboheshin nga Italia, apo riatdhesoheshin, duke i rikthyer në vend.
Sipas hetuesve, pasi udhëzohej për mënyrat e trajtimit, “djali” i pajisur me makinë, celular dhe telefona të koduar, komunikonte nëpërmjet WhatsApp-it me klientët, duke mbledhur lëndën narkotike të paketuar në doza dhe duke e vendosur në vende të posaçme fshehjeje të krijuara në tokë dhe më pas e dorëzonte.
Gjatë hetimeve që çuan në ekzekutimin e masave, u arrestua në flagrancë edhe një shtetas shqiptar, të cilit iu gjetën rreth 265 gramë kokainë, para cash dhe material paketimi.
Lini një Përgjigje