TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Dhjetor 2023, 09:47

Shkatërrohet grupi kriminal në Vlorë, sekuestrohet 500 kg drogë; zbardhen emrat e 7 anëtarëve të arrestuar

Shkruar nga Pamfleti

Shkatërrohet grupi kriminal në Vlorë, sekuestrohet 500 kg

Një operacion anti-drogë i zhvilluar në qytetin e Vlorës ka çuar në sekuestrimin e rreth 500 kg kanabisi dhe shkatërrimin e një grupi kriminal.

Operacioni është zhvilluar gjatë natës në fshatin '3-Vllazër', Vlorë ku policia ka ndaluar një fugon të mbushur me kanabis, i cili ishte gati për trafikim. 

Gjatë operacionit janë arrestuar 7 persona, ndërsa në aksion kanë marrë pjesë edhe forcat RENEA.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Ermal Muçaj në një konferencë dha detaje nga operacioni antidrogë i koduar “RESET”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal që prodhonte dhe trafikonte lëndë narkotike.

“Jam sot ketu, për t’ju përcjellë rezultatet e operacionit policor antidrogë të koduar “RESET”, i cili është zhvilluar në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli”. Ky operacioni është rezultat i një procedimi të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, që është iniciuar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorise Vendore Policise Vlorë.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe veprimtarive kriminale, në vijim të megaoperacionit policor kombëtar të koduar “Tempulli”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë referuan pranë organit procedues, ku nisi procedimi nr.1348/2023, i cili u ndoq për disa muaj, me metoda speciale hetimi.
Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, të organizuar si grup, kryenin veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, dhe po bëheshin gati për të transportuar nëpërmjet kufirit detar, një sasi të madhe lënde narkotike kanabis, me qëllim trafikimin drejt Turqisë”, deklaroi ai.

Bazuar në këto informacione u organizua dhe u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “RESET”, në kuadër të të cilit, strukturat hetimore të DVP Vlorë, me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të Repartit Special “RENEA”, arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Idriz Meminaj, 39 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
-Romir Meminaj, 49 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
-Emanuel Meminaj, 22 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
-Nertin Gjoni, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë;
-Xhuljano Gjoni, 30 vjeç, banues në fshatin Babicë.

Në vijim të operacionit u ndaluan shtetasit:

-Laurent Likaj, 37 vjeç, banues në Vlorë;
-Altin Meçi, 50 vjeç, banues në Patos.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe disa shtetas të tjerë, banues në Vlorë dhe në Tiranë, gjenealitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për arsye hetimore.

Lini një Përgjigje