
Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth megaoperacionit, ku u lëshuan 16 urdhër-arreste, ndërsa u zbuluan 6 vrasje. Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku renditi disa nga krimet që tashmë janë zbardhuar, në periudhat e ndodhura në 2021-2023 në grupin e Laert Haxhiut.
Laert Haxhiu akuzohet si organizator dhe porositës i dy vrasjeve të ndodhura në Greqi.
Në një prononcim për mediat, Rrumbullaku u pyet se pse ka dështuar për 5 vite arrestimi i Laert Haxhiut dhe nëse ka patur bashkëpunëtorë në radhët e drejtësisë.
Rrumbullaku mohoi çdo dekonspirim të operacioneve në lidhje me të. Sipas tij në asnjë rast nuk duhet cenuar imazhi i policisë dhe institucioneve, ndërsa në cilësinë e drejtorit ai tha se merr përsipër vetëpastrimin e organizatës policore dhe theksoi se do të flasë me fakte e prova dhe jo opinione.
Rrumbullaku theksoi gjithashtu se jo çdo operacion që nuk rezulton i suksesshëm do të thotë që është i dekonspiruar.
“Jo në çdo rast mund të mendoni që kur një operacion policor, mbi bazën e të dhënave që marrin strukturat policore mund të mos rezultojë i suksesshëm dhe t’i vëmë nofkën se ka bashkëpunëtorë nga policia. Ju siguroj që operacionet përkundrejt Haxhiut në asnjë rast, nga analizat që unë i kam bërë, kur drejtoja policinë e shtetit dhe AMP nuk kemi pasur dekonspirime dhe lidhje të tilla kriminale për të cilat duhet të akuzojmë strukturat policore. Duhet të jeni shumë të rezervuar me atë çka ndani se qofshim ne si polici e prokurori do të flasim me fakte e prova mbi çdo individ pjesë e strukturës policore e jashtë saj për çështje që lidhen me shkallën e implikimit. Në asnjë rast nuk duhet të cenojmë imazhin e organizatës së policisë, institucioneve. Si drejtori i Përgjithshëm i policisë marr përsipër vetëpastrimin e organizatës sime mbi të gjitha rastet. Por do të flas me fakte dhe jo opinione të ndara”, tha Rrumbullaku.
Lini një Përgjigje