
Aksidentet rrugore janë kthyer në një gangrenë në Shqipëri dhe nëse autoritetet përgjegjëse nuk do të marrin masat e duhura, ajo do të vazhdojë të marrë jetë njerëzish.
Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur sërish nga aksidentet. Vetëm në pak orë, si pasojë e dy aksidenteve automobilistike humbën jetën 2 persona si dhe mbetën të plagosur 8 të tjerë.
Sipas të dhënëve, të dyja aksidentet kanë ndodhur si shkak i mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
Njëri aksident i ndodhur në Korçë, u shkaktua nga një parakalim i gabuar, ndërsa tjetri i ndodhur në Librazhd erdhi si shkak i shpejtësisë tej normave të lejuara.
Në të dyja aksidentet, rezulton që personat e përfshirë janë nga mosha 18- 36 vjeç, duke treguar se të rinjtë, duke përfituar nga mungesa e kontrolleve policore nëpër disa segmente rrugore i shfrytëzojnë ato për të shkelur rregullat e qarkullimit që në shumicën e raste përfundojnë në fatalitet.
Nuk është vetëm faji i shoferëve, në shumë raste aksidentet ndodhin për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe ndriçimit. Aksidentet rrugore janë kthyer në një gangrenë në Shqipëri dhe nëse autoritetet përgjegjëse nuk do të marrin masat e duhura, ajo do të vazhdojë të marrë jetë njerëzish.
Dy aksidentet tragjike të ndodhura pasditen e sotme:
Aksidenti i parë me bilancin një viktimë dhe 5 të plagosur ndodhi në afërsi të fshatit Belorta në Korçë, ku 2 makina janë përplasur ‘kokë më kokë’ me njëra tjetrën. Sipas raportimeve të para dy mjete janë përplasur fort dhe për pasojë njëra ka përfunduar në kanal në anë të rrugës.
Viktimë mbeti Elvis Mizaku nga fshati Terovë, njëri nga drejtuesit e mjetit tip 'Volkswagen', i cili nga aksidenti mbeti i bllokuar në makinë për disa minuta dhe u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për ta nxjerrë. Mësohet se 36-vjeçari nk mundi tu mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.
Sa i takon drejtuesit të makinës tip ‘Hyundai’, 23-vjeçari K.H, raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Të plagosur mbetën edhe pasagjerët që ishin në makinën e 23-vjeçarit, shtetaset B. P., D. P., Dh. P. dhe shtetasi A. P., të cilët ndodhen në spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve.
Sipas policisë rrugore njëri nga mjetet ka kryer një manovër të gabuar duke sjellë edhe balancin tragjik të aksidentit. Policia po heton për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë me kaq shumë të plagosur, ku dyshohet se mes tyre ka edhe fëmijë.
"Më datë 04.02.2024, rreth orës 17:20, në aksin rrugor “Bilisht-Korçë” në afërsi të fshatit Belorta, Korçë, automjeti tip “Hyundai” me drejtues shtetasin K. H., 23 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin E. M., rreth 36 vjeç, banues në fshatin Terovë.
Për pasojë, ka humbur jetën drejtuesi i automjetit tip “Volksëagen”, 36-vjeçari E. M., dhe janë dëmtuar 4 pasagjerë të automjetit tjetër tip “Hyundai”, shtetaset B. P., D. P., Dh. P. dhe shtetasi A. P., të cilët ndodhen në spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve.
Me drejtuesin e automjetit tip “Hyundai” shtetasin K. H., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit", njofton policia.
Ndërkohë, aksidenti i dytë ka ndodhur vetëm pak minuta më parë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një automjet ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur për rreth 30 metra në vendin e quajtur kthesa e Dragostunjës në Librazhd. Mësohet se një makinë ka përfunduar në lumin Shkumbin dhe nga raportimet paraprake dyshohet se 1 person ka humbur jetën, ndërsa 3 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit janë: Meglind Kristo Zeneli, 20-vjeç (drejtuesi i mjetit); Gerald Agim Verçani 18-vjeç (pasagjer); Janikos Jorgo Shyti 19-vjeç (pasagjer) dhe Dorian Fatmir Belba 18-vjeç (pasagjer) viktimë ka ndërruar jetë.
Të gjithë të aksidentuarit janë nga fshati Qukës-Shkumbin, nga Bashkia Prrenjas. Nuk dihet ende si paraqitet gjendja shëndetësore e të plagosurve. Paraprakisht dyshohet se mjeti ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi tej normave, dhe ka humbur kontrollin në një kthesë. Pasi ka dalë jashtë rrugës automobilistike ka rënë nga lartësia duke u rrokullisur dhe përfunduar në trasenë e linjës hekurudhore.
"Në aksin rrugor “Librazhd-Perrenjas”, automjeti që drejtohej nga shtetasi M. Z., 21 vjeç, ka dalë nga rruga. Për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri që udhëtonte në këtë automjet shtetasi D. B., 18 vjeç, si edhe kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerë të tjerë, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital për momentin jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit", thuhet në njoftimin e policisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje