Ditën e sotme 45 persona u vunë në pranga në Elbasan, si dhe u shpallën në kërkim 7 të tjerë. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Ilir Proda, u shpreh se në operacionin anti-drogë, ndër të arrestuarit ka edhe biznesmenë si dhe drejtues të grupeve kriminale.
‘Janë goditur një sërë shpërndarësish dhe drejtues të grupeve kriminale, po ashtu edhe furnizues. Midis tyre ka biznesmenë dhe persona me arsim të lartë.’- u shpreh Proda.
Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Elbasanit tha se hetimet për këtë operacion zgjatën 3 muaj. Në përfundim të tij u identifikuan 52 persona, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike, prodhim e shitje në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Në operacionin që u shtri në disa qytete të qarkut të Elbasanit, morën pjesë 490 punonjës policie, 5 dronë, u kontrolluan me dhjetëra banesa e lokale, etj. Proda tha se gjatë operacionit, janë sekuestruar kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri, municione, pjesë përbërëse të armëve të zjarrit dhe shuma të mëdha parash.
10 prej personave të arrestuar, sipas kreut të policisë së Elbasanit ishin pjesë e një grupi kriminal, për pasojë është shkatërruar një grup i tërë, dhe janë goditur pjesërisht edhe 3 grupe të tjera.
Lini një Përgjigje