
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga megaoperacioni antidrogë që ka çuar në pranga rreth 2OO persona në Tiranë, Elbasan, Fier, Shkodër dhe Durrës.
Burime për mediat bëjnë me dije se 22 prej personave të arrestuar janë kapur në Kombinat, dhe sipas burimeve nga policia, ata e kishin kthyer zonën në një “fushë” të shpërndarjes së drogës.
Mësohet se në pranga ka përfunduar edhe një menaxher i një lokali në ish-Bllok, pasi në ambientet e tij shpërndahej droga. Droga e ardhur nga Kanadaja është shumë më e fortë se kanabisi që kultivohet brenda vendit, me 5 apo 6 fish më shumë efekt, si pasojë edhe me e shtrenjtë.
Një kuti si ato të konservave, kushton 50 euro, ndërsa të tjerat shkojnë deri në 300 euro. Seksioni Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës sekuestroi edhe 3.7 kg kokainë gjatë operacionit të kësaj të enjte dhe 10 kg kanabis.
Ndërkohë, mësohet se janë sekuestruar edhe 30.000 euro, 45 milionë lekë të vjetra, 6000 paund, 12 automjete, 3 motomjete, 78 aparate celularë dhe 12 peshore elektronike.
Lini një Përgjigje