TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Shtator 2023, 13:51

Merr fund arratia e mikut të Olta Xhaçkës dhe Olsi Ramës, arrestohet në Dubai Amant Josifi

Shkruar nga Pamfleti
Merr fund arratia e mikut të Olta Xhaçkës dhe Olsi Ramës,
Xhaçka, Olsi Rama dhe Amant Josifi

Ajo që e bëri edhe më serioze dosjen ndaj Amant Josifit dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte fakti, se jo shumë kohë më parë kishte shërbyer si këshilltar i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë kohës që kjo e fundit drejtonte këtë dikaster.

Ka marrë fund arratia e bosit të mashtrimit me kriptomonedhat dhe call-center, Amant Josifi. I njohur si miku i ngushtë i ish-ministres Olta Xhaçka dhe vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, Josifi arriti t'i shpëtojë një operacioni të SPAK dhe autoriteteve spanjolle disa muaj më parë, duke u larguar në Dubai. Por arratia ka marrë fund, pasi ai sot është arrestuar për llogari të autoriteteve spanjolle. Sipas burimeve ai u arrestua 1 javë më parë.

Të shumtë ishin shtetasit spanjollë dhe jo vetëm, që ranë pre e skemave të mashtrimit nga Call Ceneter-at që operonin nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe nëpërmjet Shqipërisë.

Por denoncimet e kryera nga shtetasit spanjollë do të ishin vetëm maja e ajsbergut të asaj që do të zbulonin hetuesit. Shpejt skema e mashtrimit nëpërmjet Call Center do të nxirrte në pah njohjet e krimit me pushtetin në Shqipëri që këtë herë rezultonin të kishin lidhje direkte, madje deri në instancat më të larta qeverisëse në Shqipëri.

Ky emër që do të rezultonte të jetë njeriu kyç në biznesin e mashtrimit me Call Center, do të ishte Amant Josifi, i cili falë hetimeve të nisura nga SPAK në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, doli se ishte pronari i 6 qendrave të mashtrimit telefonik në Shqipëri të lidhura me kompaninë ‘Milton Group’.

Më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me ‘Milton Group’ dhe arrestoi 4 të dyshuar”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ajo që e bëri edhe më serioze dosjen ndaj Amant Josifit dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte fakti, se jo shumë kohë më parë kishte shërbyer si këshilltar i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë kohës që kjo e fundit drejtonte këtë dikaster.

Por cila është lidhja e provuar e Amant Josifit me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Rama? Lidhja e Amant Josifit me Olsi Ramën daton në vitin 2014, kur themeluan bashkë kompaninë ‘Pegasus Communication SHPK’, aksione të cilat Josifi i shiti më pas në vitin 2018.

Por për të arritur deri te emri i Amant Josifit dhe lidhjeve të tij me një nga skemat më të mëdha të mashtrimit telefonik, të njohur si Call Center, policisë spanjolle iu desh të hulumtonte miliona emaile të përdorura nga kompanitë në zotërim të tij. Sipas dokumenteve gjyqësore, pas tre kompanive kryesore mashtruese qëndron biznesmeni 33-vjeçar, Amant Josifi.

Nga procedurat hetimore të realizuara në Shqipëri nëpërmjet letër-porosisë së dërguar nga autoritetet spanjolle, janë zbuluar 10 qendra thirrjesh të lidhura me 24 platforma mashtruese të investimeve”, thuhet në dosjen spanjolle.

Për të zbuluar lidhjet midis Call Center-ave në Shqipëri dhe faqeve mashtruese të investimeve të “Group”, hetuesit spanjollë kanë analizuar 3 milionë emaile të dërguara nëpërmjet dhjetëra plaformash të ndryshme, ku evidentohet ndërlidhja e platformave ‘call center’ me kompanitë e tjera të lidhura me organizatën kriminale me shtrirje ndërkombëtare.

Vetë numri i lartë i viktimave që kishin rënë pre e këtij mashtrimi, tregoi edhe përmasat e shtrirjes së Call Center në Evropë, ku nga hetimet doli se ishin mashtruar mbi 235 mijë viktima, gati një e treta e tyre me banim në Gjermani. Ndërkohë që siç operatori anonim u shpreh, shumë prej familjeve që kishin rënë pre e këtij mashtrimi, tashmë jo vetëm kishin humbur të gjithë financat e tyre, por njëkohësisht u ishte shkatërruar edhe familja.

Lini një Përgjigje