Një shtetas shqiptar do të kalojë dekada në burgun federal pasi u dënua për një operacion të gjerë ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të parave që vepronte në Metro Detroit.
Pas një gjyqi 12-javor, Ylli Didani u dënua nga një juri federale më 16 maj 2025, me akuzat për komplot për posedim me qëllim shpërndarjen e kokainës, komplot për shpërndarjen e kokainës në një anije dhe komplot për pastrim parash.
Dënimi vjen pasi u shpall fajtor për rolin e tij në një organizatë masive ndërkombëtare të trafikimit të kokainës me vlerë 100 milionë dollarë, e cila planifikonte të përdorte një dron nënujor për të transportuar drogë në Evropë.
Zyrtarët federalë në Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar detaje të reja mbi aktivitetin kriminal të Ylli Didanit, i dënuar me 25 vite burg federal më 31 mars, për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave.
Sipas prokurorëve, Didani dhe bashkëpunëtorët e tij kishin organizuar dhe financuar shpërndarjen e kokainës nga disa vende, përfshirë edhe shtetin e Michiganit. Ai dyshohet se ka drejtuar operacione të trafikut të drogës nga viti 2015 deri në arrestimin e tij në mars të vitit 2021, gjatë të cilave janë orkestruar dërgesa prej rreth 9,000 paundësh kokainë dhe janë gjeneruar miliona dollarë fitime.
Hetimet tregojnë se rrjeti përdorte metoda të avancuara për transportin dhe fshehjen e drogës dhe të ardhurave. Autoritetet theksojnë se përfshiheshin rrugë ndërkombëtare detare, investime në pasuri të paluajtshme luksoze dhe shpenzime të konsiderueshme për pajisje sigurie, si automjete të blinduara dhe mjete antiplumb.
Një nga skemat më të pazakonta të zbuluara gjatë hetimit ishte plani për përdorimin e një droni nënujor për transportin e kokainës drejt Evropës. Sipas prokurorëve, kjo pajisje, e cilësuar si “silur kokaine”, ishte projektuar për t’u ngjitur në trupin e anijeve tregtare dhe për t’u çliruar në destinacion, ku më pas do të merrej nga mjete të tjera të kontrolluara nga rrjeti. Projekti nuk u realizua, pasi një nga bashkëpunëtorët kryesorë ndërroi jetë në vitin 2018.
Paralelisht, autoritetet amerikane kanë dokumentuar edhe aktivitet të gjerë pastrimi parash në Michigan. Provat e siguruara përmes përgjimeve telefonike, të dhënave dixhitale dhe transaksioneve bankare tregojnë se shuma të mëdha parash janë konvertuar dhe riinvestuar për të mbështetur trafikun e drogës. Në një rast, rreth 864,000 dollarë janë kthyer në para cash përmes bizneseve të ndryshme, ndërsa një pjesë e tyre është përdorur për blerje të reja kokaine.
Dokumentet gjyqësore përfshijnë edhe prova vizuale, ku Didani shfaqet me shuma të mëdha parash përpara transaksioneve të drogës.
Prokurorët theksuan gjithashtu të kaluarën kriminale të të dënuarit, duke evidentuar disa dënime të mëparshme për vepra penale dhe kundërvajtje, si dhe mungesën e aktivitetit të ligjshëm ekonomik. Sipas tyre, edhe gjatë paraburgimit Didani ka shkelur rregullat, pasi në qelinë e tij u gjet një telefon i fshehur, me të cilin ai kishte kërkuar informacione mbi sekuestrime droge dhe kishte ndjekur zhvillimet e çështjes së tij.
Ky rast konsiderohet nga autoritetet si një shembull i operacioneve të sofistikuara të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe i bashkëpunimit të gjerë të agjencive ligjzbatuese për goditjen e tyre./ Përshtati "Pamfleti" nga "Clickondetroit".
Lini një Përgjigje