Shënohet viktima e parë në Durrës nga moti i keq
Është shënuar viktima e parë nga moti i keq në Durrës.
Në një njoftim zyrtar, policia e Durrësit sqaron se një 54-vjeçar është gjetur i pajetë, në një kanal kullues në afërsi të ish-repartit Ushtarak.
Pas kërkimeve intensive të kryera nga shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s, është gjetur trupi i pajetë i shtetasit Astrit Hysenaj, 54 vjeç, i cili ishte larguar nga banesa.
54-vjeçari rezulton se ishte punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Dyshohet se viktima kishte shkuar në zonë për verifikimin e situatës, në kuadër të detyrës së tij, për shkak të problematikave të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet e ujit.
Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Hetimet vijojnë, ndërsa pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
"Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.", njofton policia.
Situata e përmbytjeve nga moti iu keq në Durrës vijon të jetë e rëndë, ku shumë banesa dhe biznese janë në "pushtetin" e ujit.
Në Durrës, lumi Erzen ka dalë nga fshati duke përmbytur dhjetëra hektarë toke dhe duke rrethuar banesat në Katund të Ri. Në të gjithë qarkun, numri i personave të evakuuar deri më tani raportohet 305 dhe 800 banesa kanë prezencë uji. 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme.
Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Drojë ka vërshime uji në dy fshatra të Krujës: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në Shijak ka prani uji në 15 banesa.
Lini një Përgjigje