Një krim në familje është parandaluar në Itali, teksa pas një sherri të vazhdueshëm në çift, një 43-vjeçar shqiptar tentoi të vrasë gruan e tij duke i vënë flakën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 janarit dhe është publikuar sot nga mediat italiane.
Karabinierët njoftuan se arrestuan të dyshuarin me origjinë shqiptare, të akuzuar për kërcënim dhe tentativë vrasje ndaj gruas së tij. Ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit parandaloi që tragjedia të ndodhte.
Drama ndodhi brenda një shtëpie ku çifti jetonte së bashku. Raportohet se shqiptari, pas sherrit kërcënoi se do të vriste gruan e tij dhe më pas i lyeu rrobat dhe dyshemenë e kuzhinës me benzinë. Qëllimi i tij, sipas hetimit, ishte t’i vinte flakën gruas.
Megjithatë, përpjekja për të kryer sulmin e tij u ndalua falë ndërhyrjes së guximshme të djalit të mitur të çiftit, i cili, duke përfituar nga një moment shpërqendrimi, arriti ta fshihte çakmakun nga babai i tij dhe të fitonte kohë deri në mbërritjen e karabinierëve. Ndërhyrja parandaloi më të keqen.
Pasi mbërritën në vendngjarje, karabinierët nisën hetimin e tyre fillestar dhe përcaktuan se incidenti nuk ishte një rast i izoluar.
U shfaqën akte të mëparshme dhune dhe kërcënime të pa raportuara kundër gruas, duke konfirmuar një përshkallëzim të gjatë dhe të vazhdueshëm të abuzimit.
Shqiptari i cili më parë kishte qenë i dhunshëm ndaj gruas, u arrestua në flagrancë dhe është në pritje të procesit hetimor e gjyqësor.
Lini një Përgjigje