Gjykata greke ka lënë në burg tre nga personat e arrestuar për vrasjen e Giorgos Moschouris, i njohur në botën e krimit me nofkën “Thamnakias”, i ekzekutuar në prill 2025 në zonën e Halandrit, pranë Athinës. Mes të dyshuarve janë dy shtetas shqiptarë.
Të përfshirë në vrasje janë të paktën katër persona, të akuzuar për nëntë vepra penale dhe gjashtë kundërvajtje. Të arrestuarit kanë mohuar përfshirjen në organizatën kriminale dhe në atentatin ndaj Moschouris.
Njëri prej të pandehurve ka deklaruar para hetuesve se në momentin e vrasjes ndodhej në një vend tjetër, duke pretenduar se këtë e provojnë të dhënat e telefonit celular. Ai gjithashtu ka mohuar njohjen me bashkëpandehurit.
“I mohoj akuzat. Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit e tjerë”, mësohet të ketë deklaruar 48-vjeçari.
Dyshimet e autoriteteve greke
Hetuesit grekë dyshojnë se atentati është porositur nga rivalë të “Thamnakias” në botën e krimit. Sipas autoriteteve, dy nga të dyshuarit ndodheshin tashmë në burg për çështje të tjera kur nisën hetimet për organizatën kriminale.
Policia greke ka identifikuar si të dyshuar shqiptarët Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si edhe shtetasit grekë Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.
GPS i fshehur dhe telefonat në “airplane mode”
Një nga elementët që po analizohet nga hetuesit është një pajisje GPS e fshehur brenda një doreze kirurgjikale. Autoritetet dyshojnë se aty mund të gjenden prova të reja dhe informacione për objektiva të tjerë të mundshëm të organizatës kriminale.
Sipas dosjes hetimore, njëri prej të arrestuarve mbante me vete pesë telefona celularë në “airplane mode” dhe dy routerë portativë, metodë që dyshohet se përdorej për të shmangur gjurmimin nga autoritetet. Pajisja GPS ishte fshehur në mënyrë që të mos linte gjurmë ADN-je apo shenja gishtash.
Përgjimet
Në dosje përfshihen edhe përgjime telefonike të njërit prej të akuzuarve. Në një bisedë të interceptuar ai dëgjohet të thotë:
“Po, jam vrasës dhe hajdut, kam bërë çdo të keqe.”
Sipas mediave greke, hetuesve iu desh më shumë se një vit analizë videosh dhe materialesh për të identifikuar grupin e dyshuar për ekzekutimin e Moschouris.
Autoritetet kanë rindërtuar lëvizjet e automjeteve të përdorura nga autorët, që nga momenti i mbërritjes në Halandri deri te djegia e makinës pas atentatit. Sipas hetimeve, autorët kanë përdorur pagesa cash në pikat e kalimit për të shmangur gjurmët bankare.
Çfarë dihet për atentatin?
Sipas hetuesve, dy automjete “operative” mbërritën në zonën ku ndodhej klinika private pranë së cilës u vra “Thamnakias”. Pamjet filmike tregojnë persona me maska kirurgjikale, kapuç dhe kapele, të cilët lëviznin pranë vendit të ngjarjes pak minuta para sulmit.
Pas vrasjes, autorët dyshohet se u larguan drejt zonës së Aspropirgos dhe më pas dogjën automjetin e përdorur në atentat. Hetuesit kanë identifikuar edhe një shofer taksie që dyshohet se transportoi një prej personave të përfshirë.
Lini një Përgjigje