TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Prill 2026, 21:10

“Mendova se po bënte shaka”/ Si e transportuan dhe braktisën 19-vjeçaren, zbardhen dëshmitë e 3 të rinjve

Shkruar nga Pamfleti
“Mendova se po bënte shaka”/ Si e transportuan dhe
19-vjeçarja Myrto

Pamje filmike dhe dëshmi të reja kanë zbardhur në detaje ngjarjen tragjike në Argostoli të Kefalonisë, ku 19-vjeçarja Myrto humbi jetën. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak.

Materialet e siguruara nga policia greke tregojnë momentet pas përkeqësimit të gjendjes së saj, ndërsa dëshmitë hedhin dritë mbi veprimet e të rinjve që ndodheshin me të.

Sipas njërit prej të arrestuarve, gjithçka nisi pasi e reja kërkoi të konsumonte drogë. “Në një moment, Myrto më tha ‘dua të pi’, që do të thotë se donte të përdorte kokainë”, ka deklaruar ai.

Ai shton se një 26-vjeçar solli lëndën narkotike dhe më pas u rikthye me një sasi tjetër.

“Ai erdhi pas rreth 15 minutash dhe na solli një qese me kokainë… më pas u kthye përsëri me një tjetër sasi, sepse Myrto këmbënguli”, tha i arrestuari.

Sipas tij, gjendja e vajzës u përkeqësua papritur. “E pashë duke pasur konvulsione… mendova se po bënte shaka, por ajo vazhdoi dhe kuptuam se diçka nuk shkonte”, rrëfeu 26-vjeçari.

Megjithatë, sipas hetimeve, në vend që të kërkonin menjëherë ndihmë, dyshohet se të rinjtë u përpoqën të fshehin gjurmët.

Ata e nxorën 19-vjeçaren nga hoteli dhe e lanë në një ambient publik, duke pretenduar më pas se nuk e njihnin. Kur ambulanca mbërriti, dy prej tyre u thanë atyre se e kishin gjetur rastësisht pa ndjenja.

Ndërkohë, një tjetër i përfshirë ishte kthyer në dhomë për të pastruar ambientin dhe për të fshehur prova.

“U përpoqa ta ndaloja të përdorte më kokainë, por ajo nuk më dëgjoi”, ka pretenduar ai në dëshminë e tij.

Sipas të dhënave, ambulanca u njoftua nga telefoni i njërit prej të rinjve, ndërsa lëvizjet e tyre pas ngjarjes nuk tregojnë panik, por veprime të organizuara për të shmangur përgjegjësinë.

Ngjarja vijon të hetohet, ndërsa tre persona janë arrestuar dhe përballen me akuza që lidhen me ekspozimin ndaj rrezikut dhe fshehjen e provave.

Lini një Përgjigje